Punimet për ndërtimin e hekurudhës Durrës – Tiranë po ecin me ritme të kënaqshme.
Deri më tani janë realizuar 35% e volumit të punimeve, bëjnë të ditur për “DurrësLajm” burime zyrtare pranë Hekurudhës Shqiptare.
Pavarësisht kompleksitetit të zbatimit të projektit, deri më tani nuk janë konstatuar në terren vështirësi teknike, që mund të bëhen shkaktarë për shtyrjen e afatit të përfundimit të veprës infrastrukturore.
Punimet janë shtrirë në disa segmente të hekurudhës Tiranë – Durrës, ndërsa janë ndërtuar 8 ura, që bëjnë të mundur implementimin e projektit.
Ndërkohë, ndërhyrje janë duke u bërë edhe në trasenë hekurudhore në stacionin e trenit në Durrës, ku mjetet e rënda janë duke punuar prej ditësh.

Projekti në fjalë është një investim prej 70 milionë eurosh, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Pas realizimit të projektit, udhëtimi nga Tirana në Durrës pritet të realizohet në një afat kohor prej 22 minutash, ndërsa nga qendra e Tiranës e deri në Terminalin e Rinasit të zgjasë 12 minuta.
“Kjo hekurudhë nuk është thjesht një mjet transporti, por kjo hekurudhë është një mentalitet i ri i të udhëtuarit, atë që po mundohemi të nxisim. Ka të bëjë me sjelljen miqësisht ndaj ambientit duke ulur kështu konsumin e automjeteve dhe duke nxitur të gjithë qytetarët tanë apo turistët që të fillojë dhe të përdorin hekurudhat.”,- tha në muajin dhjetor të vitit të kaluar zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja për Energjinë dhe Infrastrukturën, Belinda Balluku gjatë inspektimit të punimeve.
Projekti është i gjatë 39 kilometra, 34 prej të cilëve i përkasin linjës hekurudhore Tiranë-Durrësi, pra një hekurudhë dikur ekzistuese që tani po rindërtohet me parametrat e një hekurudhe evropiane, ndërsa 5 kilometra të tjerë janë gjurmë e re për të shkuar deri tek aeroporti duke e lidhur Tiranën me Rinasin.
Sipas Hekurudhës Shqiptare, rehabilitimi i linjës hekurudhore “Durrës – Tiranë” dhe segmenti hekurudhor në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, do të përfundojë në mars 2024.
M.B.





