Hekurudha Prizren-Durrës mund të quhet ‘Karl Gega”, kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri. Ai i ka ftuar qeverinë dhe kompanitë austriake që të bashkëngjiten në projektet infrastrukturore që përfshijnë hekurudhat.

Kryeministri Albin Kurti, i ka bërë thirrje qeverisë dhe kompanive austriake që t’i bashkëngjiten Kosovës në ndërtimin e hekurudhës Prizren-Durrës.

Gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri, Kurti mori shembull punën e Karl Gegës, i cili inxhinier i njohur për dizajnimin e hekurudhave, duke shtuar se Kosova ka nevojë për një ekspertizë teknike si ajo e tij.

Kryeministri madje tha se ‘pse jo mos ta emërojmë hekurudhën me emrin e tij, Karl Gega”.

“Karl Gega herët ka marr titull doktor i shkencave matematikore, ishte inxhinier i njohur. Iu dha titull kalorës nga Mbretëria e Austrisë dhe është varrosur pranë personave më eminent të Austrisë, si Mozarti. Ndërtimi i linjave hekurudhore në Austri janë rezultat i Karl Gegës. Ai ka jetuar në Austri, prandaj e dimë se duhet të kesh ekspertizë të madhe për të ndërtuar projekte të mëdha. Ftoj qeverinë dhe kompanitë austriake që të na bashkëngjiten në projekte infrastrukturore që përfshijnë hekurudhat. Duam të ndërtojmë hekurudhën Prizren-Durrës dhe neve na duhet një ekspertizë teknike si ajo e Karl Gegës dhe pse jo edhe ta emërojmë linjën hekurudhore Karl Gega”.

Kurti ndër të tjera para austriakëve tha se Kosova është vendi më i mirë për bërje të biznesit.

“Kushdo që nuk e di si të investojë në Kosovë, këtu do ta keni një pasqyrë të qartë të bërjes së biznesit. Sipas raporteve ndërkombëtare, Kosova është një ndër vendet më të mira për bërje të biznesit dhe vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka rritur pikët në zhvillimin demokratik”, tha kryeministri.

Tutje, Kurti foli edhe për rritjen ekonomike në Kosovë, me ç’rast përmendi edhe krijimin e 25 mijë vendeve të reja të punës.

“Kosova është bërë mjedis shumë më miqësor për bërje të biznesit. Kemi krijuar mbi 25 mijë vende të reja pune, zhvillimi ekonomik deri më tani në bazë të agjencisë statistikore të Kosovës, është 10.53 për qind. Deri në vitin e fundit, vlera e eksporteve ka arritur në 2.7 miliardë, në rritje prej 80 për qind. Vlera e mallrave është rritur në 62 për qind. Eksportet janë rritur në 104 për qind. Me qeverisjen e re, përkushtimi për sundim të ligjit, transparencë dhe efektivitet jo vetëm që po zbatojmë parimet demokratike, por edhe po thyejmë rekorde një pas një”, tha Kurti.

Nga dhjetëra sektorë të ndryshëm, 16 kompani nga Kosova dhe nga Austria kanë promovuar bizneset e tyre në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri në Prishtinë të enjten, ndërsa janë pritur me ftesën e kryeministrit Albin Kurti se “Kosova është vendi më i mirë për të bërë biznes”.

Ky Forum u tha se ka për qëllim promovimin e biznesit dhe nxitjen e investimeve të mëtejshme direkte nga kompanitë austriake në Kosovë dhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve biznesore ndërmjet ndërmarrjeve nga Austria dhe Kosova, duke krijuar kështu një situatë të favorshme për ekonomitë e të dy vendeve.

Më herët është raportuar se në vitin 2023 do të fillojë faza e projektimit të hekurudhës në mënyrë që nga viti 2024 të fillojnë punimet për hekurudhën e re që do lidhë Shqipërinë me Kosovën. /Monitor