Hekurudha shqiptare po përjeton periudhën më të errët të historisë së saj shumë vjeçare, pasi statistikat e servirura nga Drejtoria e Përgjithshme nuk lënë shumë vend për koment. Gjatë 9 muajve të parë të këtij viti me trena kanë udhëtuar gjithsej rreth 14 mijë udhëtarë. E njëjta shifër është regjistruar edhe në të njëjtën periudhë të një viti më parë duke dëshmuar në këtë mënyrë se nga rrjeti hekurudhor nuk pritet asnjë sinjal pozitiv për rimëkëmbjen e tij.

Në total gjatë vitit të kaluar trenat i kanë frekuentuar vetëm 18.230 udhëtarë, një ulje drastike kjo po të kihet parasysh se gjatë 2010 numri i udhëtarëve ishte rreth 430 mijë. Nga këto shifra del në pah se për një periudhë dy vjeçare trenat kanë udhëtuar thuajse bosh. Hendeku i madh i krijuar mes statistikave të vitit 2010 me këto të dy viteve të fundit është tregues i pakundërshtueshëm se hekurudha shqiptare është drejt kolapsit. Sinjali tjetër negativ vjen nga transporti i mallrave.

Në periudhën janar-shtator të këtij viti janë transportuar rreth 144 mijë ton mallra, ose rreth gjysma e sasisë së transportuar një vit më parë. Ndërsa gjatë vitit 2011 vagonët e mallrave transportuan rreth 317 mijë ton, sasia e përgjysmuar e këtij viti tregon se hekurudha nuk preferohet më as nga bizneset si një mjet i sigurt transporti, pasi për shpejtësi as që nuk mund të pretendohet.

Nëse do t’i referohemi  shpejtësisë mesatare me të cilën qarkullojnë trenat në vendet europiane, Shqipëria zë vendin e fundit në këtë drejtim. Në shoqërinë moderne, kur elementi kohë është një nga prioritetet kryesore për të qenë të suksesshëm në një sipërmarrje të caktuar hekurudha shqiptare e ka humbur qëkur këtë garë me shpejtësinë.

Degradimi i rrjetit hekurudhor

Gjatë gjithë këtyre viteve hekurudha shqiptare ka shkuar drejt degradimit, pasi mungesa e investimeve dhe amortizimi i trenave e linjave hekurudhore e ka nxjerrë thuajse jashtë funksionit të gjithë rrjetin. Përgjatë gjithë gjatësisë së rrjetit hekurudhor janë hapur mbikalime të shumta të paligjshme të cilat jo rradhë herë janë bërë burim aksidentesh.

Nga ana tjetër një pjesë e mirë e lëvizjeve që bëhen nëpër shina bëhen në mënyrë manuale duke e vonuar edhe më tepër këtë proces. Është fakt i ditur tashmë që udhëtarët shfrytëzojnë linjat interurbane për të lëvizur në qytete të ndryshme të vendit dhe i kanë braktisur trenat, megjithëse udhëtimi me to ka një kosto më të lirë, por gjithsesi kjo kosto nuk justifikon gjendjen mjerane të vagonëve dhe udhëtimin e ngadaltë.

Dy vitet e fundit hekurudha është braktisur në masë nga qytetarët, por më shqetësues është fakti se gjatë 9 muajve të parë të këtij viti janë transportuar dy herë më pak mallra se në vitin 2011. Mungesa e investimeve dhe amortizimi i theksuar i mjeteve e ka çuar hekurudhën shqiptare drejt kolapsit dhe mosfunksionimit

Viti 2010 ka regjistruar treguesit më të mirë në periudhën kohore 2009-2012 si në transportin e mallrave ashtu edhe në atë të pasagjerëve. Gjatë këtij viti përmes rrjetit hekurudhor janë transportuar 402.726 ton mallra dhe 430 mijë udhëtarë.

Drejtues të hekurudhës thonë se në këtë performancë kaq të dobët, në vitin 2011 dhe 9 mujorin e këtij viti kanë ndikuar një sërë faktorësh. Tregtarët nuk preferojnë t’i transportojnë  mallrat me linjë hekurudhore, pasi ajo nuk ofron siguri dhe udhëtimi është shumë i ngadaltë. Në jo pak raste trenat janë sulmuar nga banda hajdutësh që arrinin të shkarkonin sasi të konsiderueshme të mallit që transportohej, ndërsa treni ishte në lëvizje.

Nga ana tjetër mungesa e investimeve e ka lënë këtë sektor “në mëshirë të fatit”. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave Shqiptare bëjnë të ditur se vitin e fundit kjo drejtori po përballet me humbje të mëdha. Karburanti është armiku i kësaj ndërmarrje këtë radhë, pasi privatizimi i kompanisë shtetërore të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës “Armo”, e ka rritur dyfish çmimin e një litre të arit të zi. Nga ana tjetër lokomotivat janë tejet të vjetra dhe konsumojnë sasi të madhe karburanti, për më tepër janë të detyruara të tërheqin vagona thuajse bosh.

Investimi që pritet të realizohet

Me linjën Durrës-Tiranë, që është më e shkurtra dhe me vagonat në gjendje më të mirë kanë udhëtuar rreth gjysma e numrit total të udhëtarëve që kanë frekuentuar trenat përgjatë tre viteve të fundit. Pikërisht në këtë linjë pritet të realizohet vitin e ardhshëm një investim prej 1.2 milion euro, fond ky i akorduar nga qeveria shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë.

Drejtori i përgjithshëm i Hekurudhave, Zamir Ramadani, thotë se “ky projekt parashikon që linja hekurudhore Durrës-Tiranë të pësojë një transformim rrënjësor. Investimi në këtë segment hekurudhor është mjaft i rëndësishëm, për vetë faktin se bëhet fjalë për linjën më të përdorshme në të gjitha stinët e vitit, sidomos në periudhën e verës kur regjistrohet numri më i lartë i udhëtarëve. Nëse tani që flasim shpejtësia mesatare e udhëtimit me tren në këtë linjë është rreth 40 deri në 60 km në orë dhe shpesh herë për arsye të ndryshme edhe më pak, tashmë sipas studimit të ri parashikohet që kjo shpejtësi të shkojë deri në 80 km ose më shumë; që përkthehet, nëse aktualisht një udhëtim me tren nga Durrësi në Tiranë apo anasjelltas zgjat 1 orë, pas këtij investimi për 30 minuta pasagjeri apo mallrat do të jenë në destinacion”. 

Ky investim konsiderohet një sinjal i mirë për vënien në efiçensë të hekurudhës shqiptare që vitet e fundit ka pasur probleme serioze ekonomike, gjë që u rreflektua edhe me largimin nga puna të rreth 500 punonjësve. Ramadani tha gjithashtu se qeveria është duke marrë masa për të zbatuar disa projekte të cilat do të hapin më së fundi dritën jeshile të këtij institucioni për investime të reja që do çojnë këtë sektor jetik të ekonomisë së vëndit jo vetëm drejt një rinovimi dhe progresi, por edhe drejt një zhvillimi të sigurtë. Rikonstruksioni i ardhshëm parashikohet që ta dyfishojë këtë shpejtësi.

Hekurudha, drejt degradimit

-Ndërsa në Europë trenat super të shpejtë, Eurostar, udhëtojnë me rreth 300 km në orë, trenat në Shqipëri udhëtojnë me 40-60 km në orë, madje në disa raste edhe më ngadalë.

-Në vendet europiane metrotë shfrytëzohen në masë të madhe nga njerëzit (për të evituar trafikun e rënduar në rrugët e qytetit) tek ne trenat janë braktisur thuajse tërësisht.

-Vagonët janë të amortizuar, me sedilje të dëmtuara dhe xhama të thyer, ndërkohë lokomotiva janë mjaft të vjetëruara dhe harxhojnë shumë karburant.

-Për të ulur shpenzimet gjatë viteve të fundit në Hekurudhën shqiptare janë shkurtuar rreth 500 vende pune, ndërkohë që gjatë kontrollit të ushtruar në këtë drejtori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit u kërkua shkurtim i mëtejshëm i stafit.  

Transporti i mallrave dhe pasagjerëve

Viti                             Pasagjerë                 Mallra

2009                        390.254 pasagjerë      342.395 ton

2010                        429.847                      402.726 ton

2011                          18.237                      317.271 ton

2012 (9 mujori)         14.870                      144.580 ton

RETRO

Në mars, KLSH kërkoi shkarkimin e drejtorit

Kontrolli i Lartë i Shtetit në muajin mars të këtij viti bëri publik rezultatet e kontrollit të ushtruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave  Durrës për periudhën 2009-2011. Në raport theksohej se menaxhimi dhe administrimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave është shoqëruar në jo pak raste me mosrespektim e moszbatim të akteve ligjore si dhe me rezultate të dobëta në treguesit ekonomiko-financiarë dhe teknikë. Për këtë KLSH i propozoi Këshillit Mbikqyrës të Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave:

– Shkarkimin e 7 anëtarëve të drejtorisë duke përfshirë këtu edhe drejtorin e përgjithshëm të saj dhe zv/drejtorin

• Drejtoria e DPH-së të jetë më reaguese ndaj kërkesave të tregut, për të futur shërbime të përmirësuara midis Tiranës dhe Durrësit

• Drejtoria të shqyrtojë dhe të analizojë shkaqet, dhe të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse për vonesat në përpunimin e vagonëve të huaj, pasi detyrimi është në vlerën 443.152 euro

• Drejtoria e shoqërisë të shikojë mundësinë e uljes së mëtejshme të numrit të punonjësve, për të arritur një nivel të pranueshëm të shpenzimeve, i cili pasqyrohet në kostot operative

• Të merren masa konkrete për evidentimin, klasifikimin dhe ndjekjen në mënyrë të vazhdueshme të debitorëve

• Të derdhen në Buxhetin e Shtetit detyrimet për “sigurimet shoqërore e shëndetësore”, për vitet 2009 dhe 2010

• Dhënia e ambienteve me qira për sipërfaqet mbi 200 m2 dhe mbi 500 m2 në administrim nga DPH-ja, të bëhet me konkurrim