Helikopteri i Ambulancës Turke gjatë një fluturimi stërvitor u rrëzua në çatinë e një spitali në lagjen Menteşe të provincës Mugla, në jugperëndim të vendit, duke vrarë katër persona, raportojnë mediat turke.

Në vendin e aksidentit kanë shkuar ekipe të shumta zjarrfikëse, shëndetësore, policore dhe të Shërbimeve të Urgjencës Turke, njoftoi Shërbimi Publik Turk (TRT).

Guvernatori i provincës Mugla, Idris Akbik, ka shkuar në vendin e aksidentit dhe ka konfirmuar për mediat turke se kanë humbur jetën dy pilotë, një mjek dhe një pjesëtar i personelit të ambulancës.

Ai tha se mjegulla e dendur ishte e pranishme në të gjithë rajonin dhe konfirmoi se “nuk ka pasur probleme në spital pas rrëzimit të avionit” .