Një javë më parë, shumë banorë të lagjes “Kastrioti” u shtruan në spitalin rajonal të Peshkopisë me diarre e të vjella, simptoma helmimi.

Nga intervistat që Fiksi zhvilloi me banorët pohuan se kishin probleme me ujin e pijshëm. 

”Pasi e konsumojmë ujin kemi probleme me diarre, shtrëngime në bark e të vjella”,- pohojnë ata.

Rreth 30 persona nga kjo lagje përfunduan në urgjencën e spitalit rajonal Peshkopi dhe sipas banorëve, kjo ka ndodhur nga konsumimi i ujit të pijshëm, pasi ujësjellësi po kryente ato ditë punime në pusetat e lagjes ” Kastriot”.

Fiksi shkoi edhe në urgjencës e spitalit ku u paraqitën si banorë që kishin shqetësime në bark dhe të vjella.

Pyetja e parë që ju bë nga mjekët ishte nëse kishte konsumuar ujë të pijshëm. Përgjigjes ”po kemi konsumuar” mjekët i thanë që duhet të merrte serum, pasi shqetësimet ishin nga uji i pijshëm.

Për aq kohë sa Fiksi qëndroi pranë urgjencës së spitalit Peshkopi edhe tre persona të tjerë u paraqiten me të njëjtat probleme pasi kishin konsumuar ujë të pijshëm nga rrjeti.

Pasi Fiksi u informua nga banorët se UKD ishte duke kryer punime në puseta, gazetarët shkuan për ta parë situatën nga afër.

Puseta që po pastrohej në momentin e vajtjes së Fiksit ishte puseta që furnizonte me ujë të pijshëm lagjen ” Kastriot”.

Gjatë pastrimi të pusetës gazetarët vunë re papastërti në formë baltë që më vonë doli se ishin fekale. Pra që ujërat e bardha ishin përzier me ujërat e zeza.