Durrës, 1 prill 2014 – Dy ditë më parë, agjencia e lajmeve “Dyrrah” ishte e para që botoi lajmin e publikuar tek e përditshmja prestigjioze britanike “Daily Mail” lidhur me helmimin e 30 marinsave britanikë në ishullin e Sanit, gjatë një stërvitjeje ushtarake verën e vitit të kaluar. Madje, ndryshe nga agjencitë e tjera të lajmeve, që u limituan në një përkthim të shpejtë të lajmit, “Dyrrah” renditi edhe pasaktësitë që kishte shkrimi i “Daily Mail” lidhur me faktin se trupat sovjetike u larguan gradualisht nga Shqipëria në vitet tetëdhjetë, gjë që nuk është e vërtetë, sepse sovjetikët u larguan nga Shqipëria në vitin 1961. Në artikull shkruhej gjithashtu që rusët kishin ndërtuar në ishullin e Sazanit një fabrikë armësh kimike. Faktikisht nuk ka pasur asnjë fabrikë apo laborator për prodhimin e armëve kimike në ishullin e Sazanit.
Pas vëmendjes mediatike që mori ky lajm në Shqipëri ka ardhur edhe reagimi i dikasterit të drejtuar nga ministrja Mimi Kodheli. Sipas njoftimit për shtyp, nuk janë konstatuar incidente apo shqetësime të trupave në terren.
REAGIMI I PLOTE I MINISTRISE SE MBROJTJES
Autoritetet shqiptare me qëllim rritjen e nivelit të stërvitjes dhe familjarizimin me procedurat dhe standardet e NATO-s i kanë kushtuar gjithmonë prioritet zhvillimit të stërvitjeve të përbashkëta, dypalëshe dhe shumëpalëshe si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Stërvitja “Albania Lion”, së cilës i referohet artikulli në fjalë, është një sërvitje e zhvilluar në periudhën gusht-shtator të vitit 2013 dhe skenari i saj konsistonte në zbarkimin e trupave detare Britanike si dhe kryerjen e ushtrimeve të tjera në tokë në bashkëpunim me trupat shqiptare.
Kjo stërvitje është planizuar dhe koordinuar nga autoritete dhe komanda të larta ushtarake Britanike në bashkëpunim me atë shqiptare. Rajonet e stërvitjes dhe poligonet e nevojshme për të mbështetur objektivat e stërvitjes janë përzgjedhur, inspektuar dhe kontrolluar në të gjitha aspektet e sigurisë në kohën e planizimit të saj. Planizuesit e përbashkët nuk kanë identifikuar dhe vërejtur asnjë shenjë të mbetjeve kimike të dëmshme për shëndetin e trupave që do të merrnin pjesë në stërvitje. Gjithë stërvitja e planizuar është zhvilluar sipas objektivave të saj dhe pa incidente. Gjatë ditëve të zhvillimit të saj në të gjitha raportimet e komandave të niveleve të ndryshme nuk janë raportuar incidente apo shqetësime të trupave në terren. Sjellim në vëmendjen se përfundimi i kësaj stërvitje ishte një sukses në të cilin mori pjesë edhe ambasadori Britanik në Tiranë, Presidenti i Republikës, ish-ministri dhe ministri aktual i Mbrojtjes.
/gje.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





