15 punonjëse të cilat ishin duke punuar në një prej kapanoneve të rrobaqepsisë u ndjenë keq pasi pësuan helmim dhe përfunduan në spitalin e Durrësit për asistencë mjekësore.
Sipas tyre, gjithçka ka ndodhur sapo kishin nisur punën. Ato janë ndjerë keq, me simptoma këputjeje, gjendje të fikti dhe të vjella.
Sipas Policisë, shkak është bërë një rrjedhje gazi i një kondicioneri, ndërsa rasti po hetohet. Drejtoresha e spitalit të durrësit, Diri Jani, tha se gjithë situata është nën kontroll dhe pacientet janë jashtë rrezikut për jetën.
Kjo nuk është hera e parë që punonjëset e fasonerive të ndryshme që operojnë në qytetin bregdetar të paraqiten në urgjencën e Durrësit. Përgjatë tre muajve janë rregjistruar tri raste të ndryshme, me rreth 70 punonjëse në total të përfunduara në spital si pasojë e helmimit apo asfiksisë.
Megjithatë, asnjë masë nuk është marrë nga institucionet përgjegjëse që kompanitë të përmirësojnë kushtet e punës.
K.H.





