Policia e Tiranës ka arrestuar sot dy shtetas dhe ka shpallur në kërkim një tjetër për helmimin e studentëve të Akademisë së Sigurisë.

Mësohet se në pranga kanë rënë teknologu dhe kuzhinieri i kompanisë katering që shpërndante ushqimin në 3 vakte për studentët dhe shpalli në kërkim administratoren.

Rreth 40 studentë të Akademisë së Sigurisë kanë shfaqur probleme shëndetësore, që dyshohet se kanë ardhur si pasojë e helmimit nga ushqimi.

Studentët që u helmuan kanë pasur simptoma të rëndë me të vjella dhe dhimbje të forta barku.

Pasi janë paraqitur në spital, kanë marrë mjekim e serume dhe janë kthyer sërish në Akademinë e Sigurisë.