Policia ka vënë në sekuestro një hotel dhe një restorant në Shkodër! Shkak mësohet se është bërë helmimi tre personave që frekuentuan këto ambiente, rast që është konfirmuar edhe nga ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit.

Në njoftimin e saj, Policia e këtij qyteti bën me dije se me indicie të prokurorisë së rrethit Shkodër të mbështetur nga AKU po bëhet bllokimi i subjektit.

Sipas burimeve mendohet se shkak i helmimit është bërë konsumimi i ujit të kontaminuar!

Në shishen e ujit mendohet të ketë pasur lëndë djegëse, pasi sipas bluzave të bardha të spitalit rajonal Shkodër, në ezofag dhe stomak kishin djegie!

Njoftimi i Policisë Shkodër

Më datë 28.12.2022, rreth orës 23:30, në Spitalin Rajonal Shkodër, janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasja A. Z., 41 vjeçe dhe djali i saj, shtetasi A. Z., 14 vjeç, banues në Malësi të Madhe, si dhe shtetasi M. M., 30 vjeç (kamarier i lokalit), banues në Shkodër, të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji i konsumuar në një lokal, në Shkodër.

Shtetasja A. Z., së bashku me djalin e saj, janë dërguar për mjekim më të specializuar, në Tiranë.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.