11 vajza dhe gra, punëtore në një fabrikë këpucësh në fshatin Budull janë dërguar me urgjencë mëngjesin e sotëm në spital për ndihmë mjekësore, pasi janë helmuar.
Vajzat janë helmuar në fasoneri gjatë punës, ndërsa aktualisht po marrin ndihmë dhe janë jashtë rrezikut.
Shkak dyshohet se kanë qenë lëndët kimike si ngjitës të ndryshëm, që përdoren në industrinë fasone.
Ndërkohë që një ekip specialistësh nga Tirana pritet që të përcaktojë shkaqet e helmimit të vajzave dhe grave që punonin në fasoneri.
Në fabrikë janë mbi 200 punonjëse, por të tjerat përveç 11 vajzave, që u paraqitën në spital nuk kanë probleme.
Njoftimi i policisë së Durrësit
Sot, më dt 31.05.2017 , rreth orës 09:00, në Spitalin e qytetit Fushë-Krujë janë paraqitur 11 shtetase me komplikacione shendetësore (marrje mendsh, gjendje të fikti), të cilat janë punonjëse të fabrikës së kepucëve në Fushë- Krujë.
Shtetaset e mësipërme gjatë orarit të punës në fabrikë, nuk janë ndier mirë.
Menjëherë janë dërguar në Qendrën Shëndetësore Fushë-Krujë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak ka qenë aspirimi jo i mirë dhe efektet negative të çliruara nga lënda e parë e punës.
Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Inspektoratin e Mjedisit, po kryejnë të gjitha veprimet e duhura për përcaktimin e shkakut dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.





