Ashtu siç mund të ketë ndodhur dekadat e para të shekullit të shkuar, Vila e Zogut në Durrës, ka hapur dyert për muzikantë e artistë. Por këtë radhë nuk ka qenë familja mbretërore e cila priste në koncertet mondane, fisnikërinë e vendit, por “Hemingway Fan Club Albania”, e cila përkujton lindjen e gjeniut të letrave botërore, Ernest Hemingway-t.
117 vjet më parë, më 21 korrik, lindi shkrimtari i famshëm i “Plakut e Detit”, Ernest Heminguej. Ditëlindjet e shkrimtarit të famshëm festohen për të katërtin vit me radhë në evente të ndryshme nga fansat e tij të shumtë në vendin tonë. Për tre vjet, rresht koncerti është organizuar pranë “Hemingway bar Tirana”, ndërsa këtë vit organizatorët vendosën që të hapin Vilën e Zogut për të sjellë për të gjithë artdashësit muzikën kubane.
Ambientet e jashtme të Vilës së Zogut, u mbushën me të rinj që kanë marrë pjesë në koncertin e zhvilluar. Atmosfera me muzikë dhe veshje kubane në nder të dashurisë së madhe të shkrimtarit për Kubën, karakterizoi mbrëmjen e dedikuar shkrimtarit të famshëm amerikan.
K.H.





