Kombëtarja e hendbollit për femra, që merr pjesë në turneun Europian të vendeve në zhvillim, ka debutuar sot në arenën ndërkombëtare, por ky debutim ka qenë më shumë se zhgënjyes.
Ekipi kuqezi, që drejtohet Shpëtim Lamçja dhe Armand Çakalli, është mundur thellë 48-1 nga Letonia, në ndeshjen e luajtur në Tbilisi të Gjeorgjisë, aty ku dhe zhvillohet ku turne. Një paraqitje e dobët e vajzave shqiptare, në një ndeshje ku ato ishin thuajse amatore dhe ku realizuan vetëm një gol me Sabrina Zajmi, pas një parabole sipër portieres.
E gjithë ndeshja ishte një formalitet për letonezet, që realizuan nga 24 gola në secilën pjesë, duke shkatërruar totalisht vajzat shqiptare në këtë sfidë europiane. Një debutim i hidhur i Shqipërisë në këtë turne ndërkombëtar, që nesër do të luajë ndaj Qipros, ndërsa pasnesër ndaj Gjeorgjisë vendase. Këto katër skuadra ndodhen në Grupin A të këtij turneu Europian, që zhvillohet për të përkrahur dhe përhapur sportin e hendbollit në vendet e vogla.
Përfaqësimi i Shqipërisë mund të konsiderohet si lajm pozitiv, por rezultati i sotëm, absolutisht jo.