“Të gjithë flasim për rindërtim të ekipit dhe se duhet të krijojmë të ardhmen e Bajernit të Mynihut. Dhe pikërisht këtë bën klubi, blen lojtarë të rinj të moshës 20-22 vjeç dhe sërish ka kritika”. Uli Hënes ka ndërhyrë për të sqaruar edhe një herë politikën e transferimeve të klubit bavarez.Gjatë një interviste për revistën “Kicker”, presidenti i rekordmenëve gjermanë ka komentuar transferimet e deritanishme të klubit dhe tha se ato “bombat” që premtoi nuk kanë për të ndodhur, duke i dhënë përfundimisht fund ëndrrës që Sançez të vijë në Mynih këtë verë.

Deri tani klubi ka transferuar Sebastian Rudin (parametra zero), Serge Gnabrinë (8 milionë euro); Niklas Zylen (20 milionë euro) dhe blerjen më të shtrenjtë të historisë së klubit Korëntë Tolisonë (41.5 milionë euro). Më shumë se 100 milionë euro për klauzolën e njëfarë Marko Verrati apo 25 milionë euro në vit për Sançezin, bavarezët nuk kanë për t’i paguar kurrë.

“Merkatoja deri tani më pëlqen, kemi blerë lojtarë me shumë perspektivë. Por një rindërtim nuk mund ta bësh duke blerë lojtarë 29-30 vjeçarë për 100 milionë euro. Kjo nuk është strategji. Për mua janë blerje “alibi” dhe pa vlerë sepse asnjë blerje e vetme nuk të garanton Ligën e Kampioneve. Reali fitoi me meritë Champions-in këtë vit, por ndaj cilit ekip u vendos nën presion? Bajernit!Ose do të shkojmë këtë rrugë me lojtarë të rinj dhe do t’u japim shansin të luajnë, ose nuk ka rrugë tjetër. Edhe nëse do na kushtojë dy vite, mbase duke na ulur shanset në Europë, duhet t’u japim të rinjve më shumë besim. Por atëherë do të kemi ndërtuar të ardhmen”, shpjegoi 65-vjeçari.Ai u ndal të komentonte edhe situatën e Renato Sançezit, i cili përflitet për një largim nga “Allianz Arena” dhe premton se portugezi do të ketë një shans të dytë. Ndërsa për Kimishin ka vetëm superlativa: “Është e mrekullueshme ta shikosh me çfarë besimi luan tani në kombëtare, sepse ai e di që vitin e ardhshëm do të jetë në formacion te Bajerni. Mendoj se Sançezit duhet t’i japim shansin të provohet edhe një vit. Duhet t’i japim qetësi. Djaloshi nuk mundi dot të luante 3-4 ndeshje pa presion”.