Të tjera detaje dalin në dritë nga arrestimi i pedagogut dhe botuesit të njohur, Henri Çili, i cili akuzohet për mashtrim, pastrim parash si dhe për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Prokuroria e Përmetit ka nisur hetime në shtator të 2019-ës për prodhim dhe shitje narkotikësh. Gjatë këtyre hetimeve, dyshohet se Henri Çili ka komunikuar me babain e Arbion Alikos.

Po ashtu ka dyshime që Çili i mori shuma të konsiderueshme parash, apartament, dyqan dhe prona të tjera me premtimin se do e ndihmonte ta nxirrte të birin nga burgu. Çili dyshohet se i ka premtuar lazaratasit, që do të ndikonte në vendimin e gjykatës.

Seksioni i hetimit në Policinë Gjirokastër ka ndërmarrë një operacion që është shtrirë në disa qytete. Ka bërë kontrolle në banesa dhe janë sekuestruar armë dhe municione.

Kujtojmë se Arbion Aliko, pjesë e grupit të zjarrit, është dënuar me burg përjetë për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, ndërkohë që vëllai i tij është dënuar me 20 vite.

Ibrahim Basha mbeti i vrarë në Lazarat, gjatë aksionit për të kapur grupin kriminal që kishte nisur të shtënat ndaj policisë lokale, operacion antikanabis në 2014-ën. Gjatë këtij aksioni u plagosën edhe dy kolegë të tij Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj.
(BalkanWeb)