I pari që dëshmoi ne Gjykatën e Posaçme ishte Henrik Hoxhaj, i penduari tjetër i drejtësisë.

Ai ka dhënë sqarime rreth 2 atentateve me 4 viktima të ndodhura në Durrës, përkatësisht Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt dhe vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia.

Sipas abcnews, Hoxhaj ishte i veshur me bluzën e Realit të Madridit dhe mbiemrin e tij të stampuar në të, për 1 orë e 30 minuta ai iu përgjigj pyetjes se Prokurorisë dhe avokateve të Altin Ndocit e Besian Xhixhes.

“Me Nuredin Dumanin jam njohur në ditëlindjen e Festim Qoli, rreth 6 muaj para vrasjes së Dorian  Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt. Dumani me premtoi 60 mijë euro, nga të cilat më ka dhënë 35 mijë, sepse pjesën tjetër i mori Elio Bitri. Ky i fundit ka qenë në timon, unë te sedilja e pasme e pasagjerit. Kam patur 2 pistoleta me vete, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli. Objektivi sipas Dumanit ishte Dorian Shkoza, madje ky i ka dalë para Avdiajt për ta mbrojtur kur kemi qëlluar.

Me Bitrin s’kam patur komunikim, kur vajta te shtëpia e Nuredinit, e kam gjetur aty dhe jemi nisur drejt vendit të ngjarjes. Dumani s’ishte me ne por vinte rrotull. Kam qëlluar me të dyja armët, edhe Bitri qëlloi njëherë me armën e tij. Para ngjarjes madje, në shtëpinë e Dumanit, Elio qëlloi, na tha se ishte shkrepje e pavullnetshme. Elio kishte një javë që qëndronte në shtëpinë e Dumanit para atentatit. Me Dumanin, pasi më dha pagesën, jam takuar në për planin e vrasjes së Besmir Haxhias”, theksoi ai.