Serbia po hyn në një fazë të re në procesin drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian dhe ndryshimi i Kushtetutës është një nga kushtet që duhet t’i plotësojë ky vend, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Sipas tyre, kjo është edhe arsyeja pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar hapjen e një debati me të gjitha strukturat e shoqërisë serbe, për ndryshimin e Kushtetutës dhe për Kosovën, e cila aktualisht në preambulën e Kushtetutës serbe figuron si pjesë e territorit të këtij shteti.

“Dua të hap dialogun e brendshëm për çështjen e Kosovës, me të gjitha dallimet tona, pa paragjykime, duke respektuar Kushtetutën e vendit”, pati deklaruar Vuçiç, gjatë ceremonisë së marrjes së postit të presidentit të Serbisë.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se debati i paralajmëruar nga presidenti serb Vuçiç, do të synojë krijimin e klimës së favorshme në opinion për caktimin e saktë të çështjes së Kosovës në Kushtetutën e Serbisë.

Ai vlerëson se ky debat i paralajmëruar që të zgjasë tri deri në gjashtë muaj, nuk është ndonjë manovër politike në raport me Bashkimin Evropian.

“Kjo nuk mund të jetë më taktizim, sepse taktizimi ka zgjatur për shumë kohë. Vuçiç paralajmëroi se ky debat do të jetë i dhimbshëm dhe se ai do të akuzohet edhe për tradhti kombëtare. Por, ai mendon se kjo është në interes të popullit serb, të Serbisë dhe të gjendjes në Ballkan. Pra, unë supozoj – dhe ky supozim është me gjasë – që Serbia do ta gjejë formën, që përmes debatit do ta heqë Kosovën nga preambula e saj. Vetëm ky mund të jetë përfundimi. Nuk mund të ketë asnjë përfundim tjetër”.

Politologu Tahiri ka shtuar se për heqjen e Kosovës nga preambula kushtetuese, Serbia mund t’i qaset disa modaliteteve.

“Më i miri dhe më i lehti do të ishte që vetëm ta fshijë nga preambula. I ndërmjetëm do të ishte, që të thotë se ‘Kosova është nën administrim ndërkombëtar’, ndërsa e ardhmja është në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në pranimin e realitetit. Mundet që edhe debati në Serbi të shkoj drejt pranimit të realitetit, që është tash e 17 vjet, mirëpo të kërkojnë garanci për komunitetin serb në Kosovë”.

Edhe politologu Behlul Beqaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se Serbia do të jetë e detyruar, që me hapjen e kapitullit 35, t’i qaset ndryshimeve formale të kushtetutës së saj.

Por, megjithatë, sipas tij, kjo do të jetë problem i Vuçiçit me Serbinë. Në këtë pikë, sipas tij, Serbia do të përpiqet të trazojë rrugën drejt një zgjidhjeje të kënaqshme për të.

“Serbia, fillimisht, besoj që do të insistojë në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive. Ndërsa, në fazën e mëtejme, nëse bisedat nuk shkojnë s’duhet, epilogu përfundimtar do të jetë, sipas mendimit tim, i hapur për shumë alternativa të tjera, duke përfshirë edhe marrëveshjen për këmbimin eventual të territoreve”.

Politologu Beqaj ka shtuar se Kosova duhet ta ndryshojë qasjen në dialogun me Serbinë, në interes të partneritetit të ndërsjellë dhe jo ta vazhdojë sikurse deri më tani.

Në variantin e parë, sipas tij, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të krijohet sipas Kushtetutës së Kosovës, në rast se Serbia në mënyrë implicite dhe eksplicite e njeh shtetin e pavarur të Kosovës.

Ndërkaq, sipas tij, në variantin e dytë, nëse shkohet në këmbime territoriale, atëherë kjo duhet të ndodhë në masë të barabartë, si dhe të normalizohen raportet në interes të partneritetit të ndërsjellë.

Deri më tash, ndryshimi i kufijve është kundërshtuar në mënyrë të vendosur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, politologu Beqaj, vlerëson se nëse kjo ndodhë me marrëveshje dhe me njohje të ndërsjellë, pa e cenuar interesin e palës së tretë, kjo duhet kuptuar si alternativë e mundshme, në pamundësi të gjetjes së ndonjë zgjidhjeje tjetër.

“Në kërkim të zgjidhjes, të themi, universale të së drejtave, unë nuk shoh probleme të natyrës serioze. Çështje tjetër është se çfarë do të bëjnë forcat nacionaliste, por pikërisht këtë zgjidhje duhet të jenë për ti pacifikuar forcat nacionaliste, që ato të mos jenë më faktorë që lëvizin dhe shkaktojnë konflikte dhe kriza në rajon”.

Sido që të jetë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka theksuar se në debatin e paralajmëruar duhet diskutuar hapur, për t’u liruar nga qasja mitike, por edhe nga dhënia e lehtë e siç ka thënë ai “të asaj në të cilën kemi çdo të drejtë”.

Dialogun e brendshëm në Serbi, ai e ka vlerësuar madje edhe më të rëndësishëm se sa atë Serbia po e zhvillon me Kosovën.