Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, e quajti një absurditet 84-vjeçar mbajtjen ende në fuqi të Ligjit të Luftës nga Greqia.

Në fjalën e mbajtur sot në Kuvend për iniciativën e propozuar nga grupi “Drejtësi dhe Integrim”, Çuçi kërkoi që fqinjët tanë ta hedhin pas krahëve këtë absurditet.

Ai theksoi se sot ka një realitet të ri të marrëdhënieve Shqipëri-Greqi dhe nuk është nevoja të priten ende 84 vite të tjera për ta shfuqizuar Ligjin e Luftës.

“Kur po i afrohemi dekadës së tretë të shekullit XXI e teksa Shqipëria dhe Greqia kanë një Traktat Miqësie, si dhe janë anëtare e aleate në aleancën politike e ushtarake më të fuqishme që ka sot bota, në NATO, mbajtja ende formalisht në fuqi e këtij ligji e për rrjedhojë pasojave që ai sjell, është një absurditet i madh. Një atavizëm që nuk i bën nder fqinjëve tanë jugor dhe as nuk reflekton kontekstin e sotëm të miqësisë e partneritetit që ne kemi. Do ishte dashur që ky ligj të shfuqizohej po njësoj siç Greqia bëri edhe me Italinë në vitin 1947.

Kemi kërkuar përmes dialogut e mirëkuptimit që ky ligj të shfuqizohet, për t’i dhënë një dinamikë të re bashkëpunimit e fqinjësisë së mirë që ne kemi. Pavarësisht pajtimit, herë më shumë e herë më pak, të qeverive greke për absurditetin e këtij ligji, deri më tani nuk është arritur në finalizimin e një vendimi të parlamentit grek për shfuqizimin e ligjit. Unë besoj se Shqipëria dhe Greqia mund të jenë një shembull i shkëlqyer edhe për popuj të tjerë në rajonin e Ballkanit, se si fqinjësia e mirë prodhon paqe, siguri, mirëqënie dhe ardhmëri”, tha Çuçi.