Edhe pse Gjykata Kushtetuese vendosi heqjen e mandatit të tij si deputet, Koço Kokëdhima i është drejtuar Strasburgut për apelim.
Lajmin e ka pohuar vetë Kokëdhima gjatë një komunikimi me gazetarë, teksa thotë se do të presë gjykimin e Strasburgut për këtë çështje.
“E kam apeluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në Gjykatën e Strasburgut. Do të pres Gjykatën e Strasburgut”, tha Kokëdhima.
Kushtetuesja vendosi heqjen e mandatit pas kërkesës së PD-së, që e akuzonte për përfitime fondesh publike në kohën që ishte deputet.
Pas vendimit, Kokëdhima deklaroi: “Me apo pa mandat Deputeti, unë do të punoj pa u reshtur për ju dhe për një Shqipëri më të mirë. Gjithë jetën time kam punuar me pasion për një jetë më të mirë jo vetëm për familjen time. Rruga ime në politikë nuk mbaron këtu. Ajo është vetëm në fillimet e saj”.





