Pas vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor për te hequr mandatin dy deputetëve, Aqif Rakipi nga PDIU dhe Gledjon Rehovica nga LSI, ka reaguar Ambasada Amerikane në Tiranë.
Përmes një deklarate, Ambasada thekson se ky vendim është provë që tregon se procesi i dekriminalizimit i filluar dy vite më parë në Shqipëri vazhdon.
DEKLARATA
Ambasada e SHBA mirëpret vendimin e sotëm nga KQZ për t’iu hequr mandatet Aqif Rakipit dhe Gledion Rehovicës. Ky vendim është provë pozitive se procesi i rëndësishëm i dekriminalizimit, filluar në dhjetor 2015, vazhdon në Shqipëri.
KQZ në mbledhjen e sotme shqyrtoi informacionet shtesë të sjella nga Prokuroria e Përgjithshme për dy deputetët e Kuvendit, të cilët sipas organit të akuzës kanë fshehur ndalimet në shtetin italian dhe kanë përdorur gjeneralitete të rreme.
Në mbledhjen e datës 3 janar, anëtari i propozuar nga LSI-ja, Gezim Veleshnja dhe tre anëtarët e mbështetur nga Partia Socialiste, Denar Biba, Bledar Skenderi dhe Edlira Jorgaqi kanë bashkuar votat dhe miratuan shtyrjen e mbledhjes, për t’i lënë më shumë kohë Prokurorisë që të japë informacione shtesë për dy deputetët.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve gjithashtu shqyrtoi edhe ndërprerjen e mandatit të për kryetarin e Bashkisë së Pogradecit Eduart Kapri.
KQZ vendosi t’i kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme informacion shtesë për Kaprin.
Në informacionin që ishte dërguar në mbledhjen e sotme për kryebashkiakun e Pogradecit, thuhej se se Kapri ishte dëbuar nga Italia në vitet ’90, pasi një vendim i tillë ishte marrë më parë nga shteti gjerman për motive emigracioni.
Për këtë arsye, anëtarët e KQZ votuan që organi i akuzës të sjellë të tjera materiale dhe informacione për të sqaruar më mirë rastin e Eduart Kaprit, nëse dëbimi i tij nga Gjermani ka të bëjë me shkeljen e rregullave të emigracionit apo me kryerjen e ndonjë vepre penale.





