NGA ARISTIR DAVIDHI
Një proverb italian thotë: “La scuola ti insegna come puoi pigliare i pesci non ti offre i pesti” (Shkolla të mëson se si mund t’i kapësh peshqit dhe jo se si t’i ofrojë falas peshqit). Nëse do t’i referohemi për një moment realitetit shqiptar, natyrshëm, do të lindte pyetja. Në ç’raport janë nxënësit tanë me këtë shprehje? Sa prej tyre kanë përveshur mëngët që t’i zbatojnë në praktikë njohuritë që kanë marrë gjatë viteve dhe sa prej tyre kanë pritur që dijet t’u jepeshin falas në provime shtetërore?
Shembulli më i mirë është referimi i ecurisë së provimit të maturës të zhvilluar për disa vite radhazi, duke sjellë në vëmendje disa probleme që nuk arriti të zgjidhte.
Provimi i maturës shtetërore nuk arriti të stimulonte studentët që të përgatiteshin si duhet për ta kaluar me sukses atë. E vetmja përgatitje e tyre konsistoi te gjetja e metodave dhe personave për të shfrytëzuar që të kalonin provimin apo të rrisnin notat. E njëjta situatë është edhe në vende si Kosova dhe në ato më të zhvilluara si Italia, Franca etj., të cilat kanë qenë promotorë të këtij sistemi. Kudo ku zbatohet ky sistem, në praktikë mbarti të njëjtat probleme. “Risia” më e madhe që solli madje me doza të mëdha ishte kopjimi. Dy fakte të vogla nga Italia e madhe. Portali “Leggo e riporto” i datës 18 qershor 2015 shkruan se një në katër studentë ia ka dalë të kopjojë falë ndihmës së aparateve elektronike. Ndërsa një në dy studentë ka pohuar se është ndihmuar nga vetë mësuesit administratorë.
Fakt komprometues për mësuesit administratorë të provimit, të cilët, duke qenë në rolin e administratorit, janë bërë bashkëpunëtorë në “gjuetinë e peshkimit”. Një statistikë e tillë nuk e dimë nëse ekziston edhe këtu te ne, por diçka tjetër dimë që Ministria e Arsimit ka marrë masa deri ne largimin nga puna për shumë administratorë provimesh (11 vetë) të cilët dolën jashtë kuadrit ligjor duke bërë “peshkatarin” e zellshëm.
Problem tjetër që e ka dalluar si provim ka qenë vështirësia e menaxhimit nga mësuesit administrues, pasi, siç dihet, sot kemi të bëjmë me nxënës të shkathët ose të zgjuarit e rrugës siç përcaktohen në fushën e sociologjisë, të cilët janë te papërmbajtur për të “gjuajtur” ilegalisht. S’ka se si të shpjegohet fakti që pjesën më të konsiderueshme të studentëve nuk e shikoje të përqendruar tek teza, por kërkonin të gjenin mënyra për të justifikuar lëvizjet e tyre përfshirë këtu kërkesat e shumta për të shkuar në tualet (djemtë) sikur të vuanin nga prostata. “Brez i ri, tashmë i plakur para kohe” do të ishte perifrazimi më i saktë që mund t’i shkonte kësaj sjelljeje.
Solli paqëndrueshmëri notash. Nxënës me notë 5 ose 6 gjatë vitit kanë marrë 8, 9 dhe 10 në provimin e maturës. Ose e kundërta, nxënës me 10 kanë marrë 5, 6 apo 7. Ose ka pasur raste që të njëjtën notë mesatare vjetore ka pasur bie fjala Tirana Bashki me shumë shkolla private apo mini-qytete si Kurbini etj. Kjo do të thotë që shpërndarja për në shkollë të lartë të jetë njësoj si për nivelin e studentit të Tiranës, kur dihet që shumë shkolla të Tiranës si “Qemal Stafa” apo “Ismail Qemali”, kanë një konkurrencë shumë më të lartë në krahasim me rrethe të tjera të vogla dhe si pasojë degët e mira shpërndaheshin njësoj si për njërin ashtu dhe për tjetrin.
Prishi konkurrencën. Të rinjtë janë në krizë të thellë studimi. Ata nuk po gjejnë forcën apo nxitjen e duhur për të dalë nga ky qerthull. Rendja pas teknologjisë apo përfitimeve të tjera që u ofron globalizmi, mirëqenia, etj, kanë pushtuar mendjen dhe shpirtin e të rinjve. Ja si shkruan Jonathan Coe: “Çfarë djalli ka brezi im? Përse jemi kaq të ngadaltë në rritje? Duket që fëmijëria synon të zgjasë deri 25 vjeç. Dyzetë vjeç jemi akoma adoleshentë”. Edhe për këtë krizë rinore na vijnë në ndihmë disa statistika po nga vendi i diellit dhe artit siç quhet Italia. 11,2 për qind e të rinjve nga mosha 15-24 vjeç dhe 16,7 për qind të atyre midis 25 e 29 vjeç, nuk janë të interesuar as të punojnë as të studiojnë, ndërsa mesatarja evropiane është respektivisht 3,4 për qind dhe 8,5 për qind.
Lajm të keq do ta konsideronte ajo shtresë të rinjsh mbetës apo të dobët. (Vetëm në matematikë arrin 72.17 për qind ). Kur rastisëm mes një grupi të rinjsh, për rastin në fjalë, i pyetëm? –Si e vlerësoni heqjen e provimit? Ata u përgjigjën: “Nëse do të duhet të ndjekin shkollat e larta, tani e tutje do të duhet ta marrim më seriozisht shkollën”. Ky është mentaliteti i nevojshëm që duam të kultivohet tek brezi i ri, me dashje apo pa dashje, dhe jo të ndodhë si deri tani që edhe pa formimin e duhur mund të ngjisje me lehtësi shkallët Universitare.
Heqja e provimit të maturës dhe zëvendësimi me konkursin mendoj se është plotësisht e justifikuar, por për ta kurorëzuar me sukses ndonjëherë nuk mjafton vetëm zëvendësimi, por jetike është dhe përshkrimi i saktë i rrugës për të eliminuar plotësisht pengesat që përmendëm më sipër. Shpresoj se me mbështetjen e ristrukturimit të arsimit dhe të shtetit në përgjithësi, konkursi do të kthejë mentalitetin e dikurshëm tek studimi, duke zhvilluar natyrshëm konkurrencën e ndershme dhe në të njëjtën kohë do të ndërgjegjësojë të gjitha palët, duke filluar nga cikli më i ulët deri më i lartë. Frika për abuzim me futjen e konkurseve shikohet më shumë tek institucionet që do të bëjnë pranimet. Vëmendje të dashur miq! Shoqëria jonë ka konsumuar aq shumë “peshk” falas saqë do të na duhen vite të tëra “agjërimi” që të heqim erën e keqe.
*Autori është mësues gjimnazi.
Marrë nga “Shekulli” 23 korrik 2015