TIRANE, 23 shkurt 2013 – Kompania shqiptare e prodhimit të qumështit “Primalat” reagoi pas publikimit të lajmit në mediat kosovare se produkte të kësaj kompanie, por dhe qumështi “Fast” me prejardhje nga Shqipëria janë hequr nga tregu, pasi kanë rezultuar të kontaminuar. Drejtues të kompanisë “Primalat” thanë për “News24” se vendimi i Agjencisë Kosovare të Ushqimit është një luftë me motive konkurrence nga ana e palës kosovare. 

Drejtori i prodhimit në kompaninë ‘Primalat’, Vigan Dervishi, deklaroi se qumështi që prodhohet në këtë kompani është i garantuar dhe i kontrolluar në laboratorët më të njohur. Sipas zotit Dervishi, vendimi i Agjencisë kosovarë është i pamenduar dhe tendencioz, pasi analizat e bëra nga kjo agjenci mund të kenë probleme. 

“‘Primalat’ prodhon qumësht me teknologjinë më të përparuar të kohës. Ne bashkëpunojmë me fermerët tanë për të prodhuar qumësht të kontrolluar. Analizat e qumështit janë të çertifikuara në laboratorë të njohur. Me sa di unë agjencia kosovare e ka ndaluar përkohësisht qumështin, pasi ne do të paraqesim analizat tona të cilat janë perfekte. Qumështi “Primalat’ është tërësisht i garantuar. Nuk kemi patur asnjëherë probleme. Më duket shumë i shpejtuar dhe i pamatur reagimi i agjencisë kosovare”,- deklaroi Dervishi. 

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë se Kosovës ka hequr nga tregu disa lloje të qumështit që kanë rezultuar pozitiv në Aflatoksin.

“Këto produkte janë duke u hequr nga tregu nga Inspektorët Veterinarë të AUV-së dhe nga importuesit të cilët përmes pikave të tyre të shitjes janë urdhëruar që t’i heqin nga shitja deri në marrjen e super analizës e cila vërteton rezultatin e parë ku në bazë të saj do të vendoset për kthim eventual ne treg apo për asgjësim”, thuhet në njoftimin e agjencisë kosovare.