GRAMSH, 26 maj 2013– Kryeministri Sali Berisha ka vijuar sërish me premtimin e tij, se në katër vitet e ardhshme qeveria do të bëjë gjithçka për liberalizimin e vizave me Amerikën. Këto deklarata, Berisha i bëri gjatë inagurimit të rikonstruksionit të rrugës Drizë ? Poroçan, në rrethin e Gramshit.

"Garantoj se gjatë mandatin të ri do të marrim statusin, do të hapim negociatat për vend anëtar dhe do të bëjmë gjithçka për të merituar liberalizimin e vizave me vendin e madh të lirisë, SHBA. Më 23 qershor votoni Partinë Demokratike, partinë e integrimeve, partinë e infrastrukturës, partinë e punësimit, partinë e rritjes së rrogave dhe pensioneve", tha Berisha.

Më tej, kreu i demokratëve u ndal edhe tek akuzat që i bëhen nga opozita lidhur me shtrimin e rrugëve.

"Ata të cilët përpiqen tu mashtrojnë dhe tu thonë ju se Sali Berisha nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ndërtuar rrugë, unë dua tu them 'kam gjykuar e gjykojse qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë duhet të jenë të barabartë'. Gjersa në çdo fshat tuajin të ketë rrugë, shkolla, ujësjellësa, energji elektrike, njëlloj si në lagjen e qytetit, unë do vazhdoj me të gjithë energjitë e mia për zbatimin e këtij projekti", tha ai.

Rruga Drizë ? Poroçan është një investim me vlerë 330 milion lekë, 8.74 kilometër e gjatë dhe u vjen në ndihmë 11.000 banorëve të kësaj zone. 

Elbasan, Berisha: Vendi po zhvillohet se ne nuk rrimë si Rama në autobus

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë të Elbasanit, Berisha theksoi se falë investimeve të mëdha të qeverisë së tij, në vend është krijuar një klimë optimizmi për zhvillimin e vazhdueshëm. 

“Vendi ende nuk është i zhvilluar, por do të zhvillohet. Ne nuk do të rrimë si ai njeriu që ka mbetur në autobus”- tha . 

“PD ka këtë pranverë fushatën më të shkëlqyer të saj. Ju mund të bëni një check-up në fushatat me radhë, por nuk do të gjeni dot një fushatë kaq madhështore që ka befasuar shumë njerëz analistë, gazetarë, vëzhgues. Kjo s’është vetëm fushata më madhështore për pjesëmarrjen në përmasa madhështore, por është edhe optimizmi i madh që i bën njerëzit të vërshojnë, të mbushin sheshet muaj para zgjedhjeve. Kjo do të thotë se një energji e brendshme buron nga shpirti i tyre dhe ajo energji po vërshon nga të 4 anët e vendit, po vërshon në shpirtin, mendjen e shqiptarëve”, tha Berisha. 

Përballë një fenomeni të tillë, shtoi Berisha, “pyetja e parë është si ka mundësi, që është ky entuziazëm më i madh se në mandatin e dytë. Arsyeja themelore është se ky është mandati ku ne kemi bërë më shumë se kurrë për qytetarin shqiptar. Ky është mandati i investimeve më të mëdha. Së dyti kjo është fushata e parë zgjedhore në karrierën time politike, ku programi i 4 viteve që vijnë materializohet para afatit të zgjedhjeve. Shtyllat kryesore të tij janë vënë në zbatim e sipër që sot”. 

Kemi investuar më shumë se kurrë, tha Berisha, duke shtuar se, “në qarkun e Elbasanit, në të 4 anët, jemi duke ndërtuar infrastrukturë të re. Kemi ndërtuar qindra kilometra rrugë në katër anët e vendit. Këto janë për perferinë, por nëse kthehemi në qendër, kemi autostradën Tiranë – Elbasan, që përbën një vlerë të madhe për të gjithë këtë shekull. Bëmë ëndrrën realitet. Ajo po ecën me shpejtësi të madhe”. 

Kryeministri Berisha u shpreh optimist për shndërrimin e ish-kombinatit Metalurgjik në një zonë të lirë ekonomike, me përfundimin e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan. 

"Ky është një projekt për të cilin kam bërë çdo gjë që kam pasur në dorë, por nuk u realizua, ndonëse jam takuar me grupe të fuqishme të zonave të lira apo parqeve industriale. Pengesë kryesore për këtë ishte distanca e kombinatit nga portet dhe aeroportet. Por, tani me ç’bllokimin e kësaj distance, me kohën 20 minuta të rrugës Tiranë-Elbasan, besoj se çdo investitor do të jetë i interesuar të investojë në këtë qytet, sepse këtu ka një krah pune dhe kushte të leverdishme", – u shpreh kryeministri. 

Kryeministri premtoi se, do të bëjë gjithçka për shndërrimin në realitet të këtij projekti, që është plotësisht i mundshëm. "Uroj që zona e lirë e ish-kombinatit Metalurgjik të ndërtohet me vullnetin e plotë të qeverisë", – u shpreh Berisha.