TIRANË, 21 tetor 2013 – “Kam pasur gocën 26 vjeçe që ishte punësuar në universitetin “Aleksandër Moisiu”. Ka punuar vetëm katër muaj dhe ma pushuan nga puna vetëm e vetëm se ishte rome”, deklarimi tronditës i një gruaje rome të NISh-Tullës, pasqyruar ngaVizion Plus-i dhe Dyrrah-u, më 18 tetor 2013 pasdite, ka tërhequr vëmendjen e Avokatit të Popullit. Në një e-mail dërguar redaksisë, më 21 tetor 2013, z. Igli Totozani thotë: “Siguroj se do ta ndjekim me shumë precedencë rastin në fjalë dhe do t’ju njoftojmë për ecurinë e tij”. Dërgimi i inspektorëve të Avokatit të Popullit në NISh-Tulla dhe në universitetin publik të Durrësit, pritet të zbulojë një skandal racial në një institucion publik të arsimit publik.

E turpshme

Nëse shënimi i “Dyrrah”-ut (shih http://www.durreslajm.com/aktualitet/durr%C3%ABs-universiteti-e-heq-nga-puna-vajz%C3%ABn-ishte-rome) ka shkaktuar interesimin e mbi 700 lexuesve në internet dhe Avokatit të Popullit, ende nuk kanë reaguar as rektorati i universitetit publik “Aleksandër Moisiu” dhe as Ministria e Arsimit. Ndërkaq disa OJQ, që janë “majmur” me fondet e KE-së dhe Bankës Botërore për romët, kanë heshtur në mënyrë të turpshme. Dy medie vendore afër PD-së i kanë bërë reklamë universitetit të përfolur.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/