Sekretarja zvicerane e Shtetit për Çështjet Ekonomike Marie-Gabrielle Ineichen-Fleisch mbërrin në Shqipëri ditën e sotme ku do të qëndrojë për takime me zyrtarë qeveritarë dhe për të lançuar strategjinë e re të bashkëpunimit zviceran me Shqipërinë.

Ajo do të takohet me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj. Ajo gjithashtu do të ketë shkëmbime me përfaqësues të biznesit si dhe me drejtuesit e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP).

Zj. Ineichen-Fleisch do të përshëndesë edhe aktivitetin për lançimin e strategjisë së re të bashkëpunimit zviceran me Shqipërinë 2018-2021, tek Hotel Rogner, në datë 7 mars. Ajo drejton një nga dy agjencitë e Zvicrës përgjegjëse për asistencën ndërkombëtare për zhvillim.

Kjo është hera e parë që një Sekretare zvicerane e Shtetit për Çështjet Ekonomike vjen në Shqipëri dhe është shenjë e përmirësimit të lidhjeve ekonomike dhe mbështetjes zvicerane për Shqipërinë.