Në Velodrome ishte mbrëmja e Antoine Griezmann. Pas paraqitjeve shpërthyese ndaj Irlandës dhe Islandës sulmuesi i Atleticos së Madridit zhvilloi një tjetër ndeshje të madhe dhe me dy golat e tij ndaj Gjermanisë, kualifikoi Francën për herë të tretë në histori në finalen e një kampionati Europian. Ai është një fenomen, madje një gjigand, që falë magjive të tij çoi gjelat në finale, ishin këto disa nga vlerësimet e mediave franceze për 25-vjeçarin, i cili është edhe golashënuesi më i mirë i Europianit me 6 gola. Vetëm Michel Platini ka realizuar më shumë  se Griezmann në një kompeticion të tillë dhe në Francë kanë nisur ta krahasojnë që tani me ish- yllin e Juventusit. Ashtu si finalen e Championsit edhe njëherë tjetër përballë Griezmann do të jetë Cristiano Ronaldo me Portugalinë e tij. Në San Siro 25-vjeçari francez u dorëzua përballë Realit të 3-herë fituesit të Topit të Artë, madje në atë sfidë Griezmann humbi edhe një 11-metërsh, megjithatë këtë herë ish- lojtari i Real Sociedad është i bindur se do ta mposhtë Ronaldon në finalen e Europianit që do të luhet të Dielën në St Denis, për t'u shndërruar më pas edhe në favoritin e madh për të fituar Topin e Artë.

"Jemi të gjithë shumë të lumtur. Kemi filluar të ëndërrojmë për finalen e 10 Korrikut. Jemi shumë të gëzuar për këtë sukses, por nuk ka kohë për të festuar, sepse duhet të mendojmë menjëherë për ndeshjen ndaj Portugalisë. Ka ardhur momenti që kjo skuadër të fitojë një tjetër trofe të rëndësishëm. Dua të festojmë bashkë me publikun tonë, kemi besim se do ta kalojmë me sukses edhe ndeshjen ndaj Portugalisë”. I lumtur për suksesin ndaj Gjermanisë u shfaq edhe trajneri Didier Deschamps, vëmendja e të cilit gjithsesi shkoi menjëherë te ndeshja finale ndaj Portugalisë. Kemi bërë një hap të madh përpara përpara, por megjithatë hapin më të rëndësishëm duhet ta hedhim të dielën theksoi trajneri i gjelave. Do të japim maksimumin në fushë për të triumfuar edhe ndaj Portugalisë ashtu siç bëmë ndaj Gjermanisë",- shtoi në fund të fjalës së tij Deschamps.