“Ai është Albi Albino, një djalë shqiptar që po ndihmon aty ku ka më shumë nevojë, në hotelin e Alassios. Nga kamarier ka zgjedhur që të bëhet ndihmës dhe mbi të gjitha mik i shumë njerëzve që janë detyruar të qëndrojnë në karantinë, një pikë referimi në këtë moment delikat. Një falenderim i veçantë shkon për këtë djalë që ka treguar forcë, guxim dhe vendosmëri tipike të vendasve”, shkruhet ne postimin në Facebook-un e kreut të rajonit të Ligurias, Giovanni Toti.
Në një kohë paniku, ankthi, frike, por edhe përhapje masive të koronavirusit, një shembull që na bën të ndihemi krenarë vjen nga Italia. Albi Albino është një djalë nga Durrësi, që ka ndjekur studimet tek “Olsi Lasko” dhe më pas në UAMD, por që prej kohësh punon kamarier në hotelin Bel Sit, në Alassio.
Hoteli u vu në karantinë, pasi një nga klientët, një grua 72-vjeçare, rezultoi pozitive me koronavirus.
Albi është bërë personazh në mediat italiane dhe nuk kanë munguar as etiketimet si “hero” për të riun, që në këto kohë të vështira po u vjen në ndihmë shumë personave. Ai qëndron në shërbim të të moshuarve që janë izoluar në hotel. Perkushtimi me të cilin po punon dhe po u jep ndihmë personave të mbyllur në karantinë e ka shtyrë kreun e Rajonit të Ligurias, Giovanni Toti, që të bëjë edhe një premtim publik.
“Faleminderit Albi, do të mundohemi që të marrësh shtetësinë italiane që aq shumë e dëshiron. Sepse ti je njëri prej nesh”,- shkruan Toti.
Postimi i Giovanni Toti-t:






