Nga MARK BRUNGA

DURRËS, 16 nëntor 2014 –  Më 17 nëntor 2014 mbushën plot 70 vjet nga çlirimi i kryeqytetit të vendit, Tiranës.

Fotot e shumta që trashëgohen nga ajo kohë, të bëra nga vetë sulmuesit partizanë, aleatët anglo-amerikanë si dhe nga vetë gjermanet, tregojnë për një kryeqytet, ku është zhvilluar një luftë e ashpër mjaft e përgjakshme, e cila nuk mund të anashkalohet dhe të minimizohet në faqet e historisë. Tirana, që u çlirua me gjak, ishte dhe kryeqyteti i parë në Evropë i liruar tërësisht me forcat e vetë popullit të armatosur. Ashtu siç ishte dhe qyteti që i dha Evropës çetën e parë luftarake kundër fashizmit në Luftën e Dytë Botërore, çetën e Pezës. Këto janë vlerat e mëdha patriotike dhe historike të Tiranës dhe 17 Nëntorit, datë kur u realizua marrja e kryeqytetit, simbolit të fitores të popullit kundrejt pushtuesit fashist që kishte gjakosur botën mbarë.

Çlirimi me luftë i Tiranës, pas një dare të çeliktë të rrethimit partizan që iu bë, në shumë raste çoi deri në fragmente betejash të zhvilluara shtëpi më shtëpi, si në epopenë e Stalingradit. Dara e rrethimit nuk u la pushtuesve dhe as bashkëpunëtorëve të tyre mundësi frymëmarrjeje. Në përshkrimet historike të kësaj periudhe është theksuar:

“Më 25 tetor, qeveria e kryesuar nga Ibrahim Biçaku dha dorëheqjen dhe shumica e anëtarëve të saj iu bashkëngjitën kolonave gjermane që po braktisnin qytetin. Luftimet vijuan për gati tre javë, për t’u mbyllur në të gdhirë të 17 nëntorit, me tërheqjen e praparojës gjermane nëpërmjet rrugës së Durrësit, në drejtimin Tiranë-Vorë-Shkodër”.

SHKATËRRUESIT E BUNKERIT TË ÇELIKTË

Në analet e luftës është folur shumë për një tank të groposur dhe luftën e përgjakshme që është bërë për ta mposhtur kullën e çeliktë që ishte kthyer në një fortino të tmerrshme. Gjermanët kishin shkatërruar shatërvanin dhe në gropën e hapur kishin futur makinën luftarake, e cila, tashmë, në vend të ujit të shatërvanit, nxirrte breshëri vdekjeprurëse nga gryka e një mitralozi të rëndë të instaluar në të.  Ka dëshmi që për marrjen e saj kanë humbur jetën shume partizanë, pasi fortina e veçantë ishte pengesa kryesore në sulmet e ashpra të partizanëve për të pushtuar qendrën e kryeqytetit.

Pasi u neutralizua kjo qendër zjarri, partizanët, sipas dëshmive, u përpoqën që ta orientonin në drejtim të rrugës së Durrësit, rrugë nga e cila u tërhoqën gjermanët, por nuk mundën. Ajo ishte fiksuar që të funksiononte vetëm nga drejtimi i sulmeve partizane.

Në foton e bërë ditën e fitores në Tiranë mbi kullën e tankut në sheshin “Skënderbej” tregohet: nga e majta: Ferit Radovicka (n/komandant i Br 1S), Muhamet Prodani (Komandant i Br 1S), Dhori Panariti (i ngarkuar me punët e rinisë së Divizionit 1S). Janë ata që së bashku me luftëtarët e tjerë e mposhtën bishën e çeliktë.

Rreth jetës së Muhamet Prodanit shprehet ish-komandanti i Brigadës I Sulmuese ne Tiranë në vitet 70 të shekullit të kaluar, doktor i shkencave ushtarake kolonel Novruz Zeinati.

Sipas kolonel Zeinatit: “Muhamet Prodani është shquar për trimërinë e tij të jashtëzakonshme dhe ka marrë pjesë në të gjitha luftimet dhe aksionet e çetës partizane të Kolonjës. Ai u shqua në aksionet e Vithkuqit, në Urën e Kovaçit, në luftën e Leskovikut, në operacionet e Kuqarit dhe të Përmetit.

Me krijimin e batalionit “Hakmarrja” mori pjesë dhe drejtoi së bashku me Petrit Dumen të gjitha luftimet e batalionit në krahinën e Kolonjës, të Devollit, e të tjera, derisa u rreshtua në brigadën I Sulmuese. Qysh në ditët e para të formimit brigada e pagëzoi rrugën e sajë luftarake në betejën e Vithkuqit dhe të Shtyllës. Muhameti luftoi në krye të batalionit të vet në Pogradec, Patos,Vlorë, Dukat, në Dunicë të Mokrës, në Tendën e Qypit, në Martanesh, Labinot, Mushqeta, dhe në kryeqytetin e vendit Tiranë, ku drejtoi luftimet heroike të Brigadës I Sulmuese, si komandant i saj, së bashku me Arif Haskon si komisar i saj”.  Kolonel Zeinati tregon përveç rrugës luftarake edhe nderimet që i janë bërë.

Për merita të veçanta në LANC dhe pas çlirimit, gjenerallejtënant Muhamet Prodani merr nga Kuvendi Popullor titullin e lartë “Hero i Popullit” si dhe 14 urdhra e medalje të tjera. Dy medalje i janë akorduar edhe nga Presidenti i Federatës Ruse Boris Jelcin si pjesëtar i Luftës së Dytë Botërore”.

DITA E  ÇLIRIMIT NE DOKUMENTET GJERMANE

Duke u bazuar ne dokumentacionin e pushtuesve nazistë, mësojmë se beteja ka qenë tejet e ashpër. Në dosjen me dokumentet të Shtabit të Përgjithshëm të Vermaht-it (Wehrmacht – ushtria gjermane) AIH DUGJ të datës 27.11. 1944 përshkruhet sulmi i fuqishëm partizan:

“Në të gjitha rrugët dhe sheshet e qytetit ishte një zjarr i vazhdueshëm i forcave partizane. Nga të gjitha dritaret, nga ballkonet dhe çatitë u hap zjarr me pushkë, mitraloza dhe granata dore. Blloqe të veçanta ndërtesash, në të cilat gjendeshin trupa gjermane, qëlloheshin pa pushim me zjarr të fuqishëm me  mitraloza dhe artileri, breshëritë e të cilave erdhën duke u shtuar deri ne mbrëmje me intensitet të madh”. Duke u bazuar në dokumentacionin shtetëror në luftën për çlirimin e Tiranës, del se kanë rënë në fushën e betejës 227 partizanë.

Pushtuesit kanë lënë më shumë se 2 000 ushtarë dhe oficerë të vrarë, 500 robër, një sasi të madhe të pallogaritshme armatimi trofe nga të cilat përmendim edhe 25 topa, 4 tanke, 200 automjete, 120 kafshë, mitraloza, pushkë, automatikë dhe rreth 250 karro me materiale të ndryshme.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/