Një burrë në moshë që mendon ende për dashurinë dhe jep edhe jetën për të, apo një pacifiste që përpiqet të ngrejë kinemanë në një qytet të shkatërruar nga lufta janë heronj pak larg imazhit të burrave të fortë me jataganë e armë që kanë çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë, por janë heronj që duhet të frymëzojnë brezat për të vlerësuar më shumë anën shpirtërore të njeriut e jo forcën fizike të tij

Këtë fundjavë, trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu” vuri në skenë me sukses komedinë epike “Heronjtë e viagrës” të dramaturgut Bashkim Hoxha. Një oficer që shkon në luftë, por atje mendon më shumë për dashurinë, një femër e ftohtë që transformohet në sajë të dashurisë, një pompozitet i madh për shpalljen e një heroi, por që sfumohet në një flluskë sapuni. Janë këto disa nga kontrastet e forta të pjesës teatrale, kontraste që janë të pranishme aq shpesh në jetën tonë të përditshme. Ndërsa jetojmë në një kohë kur ende jemi në kërkim të heronjve që frymëzojnë brezat, harrojmë se i kemi ata mjaft pranë, në realitetin ku jetojmë e punojmë çdo ditë. Një burrë në moshë që mendon ende për dashurinë dhe jep edhe jetën për të, apo një pacifiste që përpiqet të ngrejë kinemanë në një qytet të shkatërruar nga lufta janë heronj pak larg imazhit të burrave të fortë me jataganë e armë që kanë çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë, por janë heronj që duhet të frymëzojnë brezat për të vlerësuar më shumë anën shpirtërore të njeriut e jo forcën fizike të tij.

Ndërsa mundohemi t’i veshim petkun heroik figurave që dekorojmë me shumë bujë, do ishte më mirë të përqendrohemi tek aspekti njerëzor i tyre, të lartësojmë ato vlera që i bëjnë këta heronj të ditëve tona të prekshëm e shumë më pranë nesh. Heronjtë e dikurshëm, të mykur në muze, nuk mund të frymëzojnë në një kohë që ne apelojmë për paqe prandaj perceptimi për heroin duhet të ndryshojë, duhet t’u shpëtojë butaforive poetike e historike, letrarizimeve të shumta dhe duhet të kthehet me këmbë në tokë. Ky është mesazhi që kërkon të përcjellë komedia epike e Hoxhës, që përmes kontrastit të situatave e veprimeve dërgon tek spektatori mesazhe të forta. Në sprovën e tij të parë si regjizor Bashkim Hoxha e kaloi testin me publikun duke realizuar me mjeshtëri një pjesë teatrale impenjative.

Më shumë sesa për të qeshur kjo komedi epike të fton të reflektosh në këtë 100-vjetor të pavarësisë për historinë e vendit tonë dhe personaliteteve që janë glorifikuar apo anatemuar gjatë rrjedhës së saj. Një gjetje e veçantë ishte dhe muzika, një pjesë e pandarë e kësaj pjese, e cila arriti të përçojë tek publiku gjendje të ndryshme shpirtërore në varësi të dramacitetit apo komizmit të situatave të caktuara. Në përfundim të çdo akti, por edhe në fund të shfaqjes publiku duartrokiti lojën e bukur aktoriale të të gjithë aktorëve, në veçanti të dy protagonistëve Hysen Bashhysa dhe Adriana Tolka, por dhe të më të rinjve si Ervin Doko, Besmir Bitraku, Eralda Çaushi, Xhejni Fama etj.