Kërkesa e përsëritur për pezullimin e projektit TID Durrës ka nxjerrë sërish në protestë banorët e qendrës historike të qytetit bregdetar. Përfaqësues të 74 familjeve që shpronësohen nga ky projekt që synon rijetëzimin e zonës ngritën sërish zërin përpara bashkisë duke paralajmëruar disa lëvizje të radhës për të parandaluar vënien në zbatim të projektit.
Ngritja e një Komisioni Hetimor në Këshillin Bashkiak, krijimi i një Forumi Këshillimor Vendor dhe firmosja e një letre të hapur drejtuar Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillimin (AADF) janë tre hapat e ndërmarrë nga familjet që kundërshtojnë projektin.
Përfaqësuesit e këtyre familjeve ngritën sërish sot akuza ndaj kryebashkiakes së Durrësit Emiriana Sako, por edhe deputetëve socialistë dhe zv/kryeministres Belinda Balluku dhe shprehën vendosmërinë e tyre për të mos dalë nga shtëpitë.
“Ne nuk jemi thjesht pika të kuqe në hartë, ne jemi njerëz, që kemi investuar aty. Prindërit tanë kanë lënë gjakun e tyre. Ne nuk jemi numra, jemi histori. Kemi rrënjë aty”.
“Do i shembin shtëpitë se do të bëjnë lulishte. Unë pas shtëposë sime kam lulishte, prapa kam lulishte. 20 metra larg shtëposë po bëhet një hotel tjetër. Mu tek zona e amfiteatrit.”
“Për ne nuk ka festa. Për ne ka një tmerr me këtë që po na bën shteti. Po prishen shtëpitë ashtu si u do kokrra e qejfit. Tek “Çezmja e ferrës” mora vesh që do të prishen se i kap rruga. Po tek ne ça do bjeri që po na prish shtëpitë? Lulishte?”
“Kjo protestë nuk mbaron sot. Ne do të jemi të pranishëm në çdo hap, në çdo proces dhe çdo ndërhyrje që do të bëhet në këtë zonë. Vetëm të bashkuar mund të mbrojmë të drejtat tona. Heshtja nuk është më alternativë!”,- ishin deklaratat e disa prej protestuesve.
Ata e cilësojnë projektin në fjalë korruptiv dhe selektiv dhe vijojnë në Gjykatën Administrative procesin gjyqësor.
M.B.





