Nga Andi Bushati
Lulzim Basha arrin të zhgënjejë edhe ata që nuk kanë pasur kurrë shpresë tek ai.
Edhe njëherë ai ka anashkaluar, ose e ka lënë vetë të kalojë një nga ato skandale, që i japin kredibilitet kauzave opozitare dhe e bëjnë më të prekshme fytyrën e regjimit në të cilin jetojmë.
Ai nuk guxoi të thotë asnjë flalë të vetme për mesazhet e bëra publike nga Presidenti i Republikës në “Opinion”, ku shihej qartë se si dy ambasadat kryesore në vend bënin allishverishe me Edi Ramën, për të zgjedhur në mënyrë të kundraligjshme anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
“Zbulimi” ishte një dhuratë e artë për opozitën. Ai dëshmonte njëkohësisht edhe si ka rënë maska e një drejtësie “pa ndërhyrjen e politikës” edhe se kush i kontrollon realisht emërimet edhe se ç’rol, herë arbitrar e herë shantazhues, luajnë ndërkombëtarët edhe se pse është gremisur besimi i publikut tek ajo që iu shit si reforma e reformave.
Por në vend të belbëzonte qoftë dhe diçka të vetme për këtë rast flagrant të kapjes së shtetit, Basha përzgjodhi, në të njëjtën ditë, të priste ambasadoren Yuri Kim, të fliste me të për të ardhmen (jo krimet e së shkuarës), madje të miklohej prej trajtës përkëdhelëse me të cilën ajo e thërriste: “zoti Luli Basha”.
Sa për të larë gojën, ashtu sikurse bën edhe në rastet kur nxjerr një personazh të dorës së tretë në PD për të goditur koncesionet që Rama iu jep klientëve të përbashkët, për këtë aferë, lideri demokrat u mjaftua me një deklaratë të Palokës.
Natyrisht aty nuk guxohej të përmendej as kapja në flagrancë e ambasadorëve, as roli uzurpues i Ramës në çështjen konkrete, por flitej në përgjithësi për qëndrimet që ka mbajtur PD, në vite, ndaj reformës.
Pas kësaj, asgjë. Refuzim ftesash për të diskutuar këtë temë në emisionet e mbrëmjes. Vetëm një heshtje kompromentuese dhe një indiferencë e frikshme.
Ky shembull flagrant, përpos varrosjes së një skandali, qoftë për shkaqe xhelozie ndaj protagonizmit burrëror të Metës, qoftë për frikën nënshtruese ndaj ndërkombëtarëve, apo qoftë prej ndonjë flirti në distancë me Ramën, siç përflasin gojët e liga, ngre për të disatën herë të njëjtën pyetje: a është i aftë ta drejtojë kauzën e vështirë opozitare, Lulzim Basha? A është në gjendje ai që, pa ide të qarta, pa ideale të afishuara, pa koherencë në qëndrime, të përballet me një regjim kaq të egër?
A krijon besim ai me kompromiset e veta të vogla, me piruetat që bën, me vijat e kuqe që vendos kot së koti?
A ngjall ai shpresë, pasi ka lënë pas kufomat e Republikës së re, premtimet për transformimin e sistemit, përmbysjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës, zotimet për referendume dhe betimet se reforma zgjedhore nuk mund të bëhej as me ata që kanë vjedhur votat, as me përfaqësuesit e opozitës fallco?
A merr më njeri armët për ta ndjekur atë pas në luftën e tij, pasi i ka thirrur njerëzit në dy revolucione të tradhëtuara?
A mund të vërë dikush dot bast se tryeza përkrah Damianit dhe Rudinës do ta shpëtojë Shqipërinë nga vjedhja e votës prej një bande që ka me vete edhe kriminelët, edhe paratë e oligarkëve, edhe mediat e tyre që e bëjnë të zezën të bardhë?
E pra, shancet që Lulëzim Basha ta mundë autokratin që ka përballë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, qoftë për dobësitë e tij, por sidomos për kriminalizimin e kësaj bande (historia e teatrit tregoi se ajo nuk ka ndërmend ta lërë pushtetin me votë), janë afër zeros.
Por e keqja nuk është vetëm kjo. E keqja qëndron te frika se asgjë mund të mos ndryshojë edhe nëse mrekullia ndodh. Pra edhe nëse për një çast imagjinojmë të pamundurën, që regjimi i Edi Ramës të mos bjerë nga vota, por për çështje të zotit apo teka të fatit, sërish rrezikojmë që gjithçka të vazhdojë si më parë.
Heshtja ulëritëse e Bashës për skandalin e faktuar të përdhosjes së reformës, shkaqet që e squllin, e tulasin, e friksojnë atë për të luajtur sot shefin e një opozite të moralshme, janë një ogur i keq për të nesërmen. Ky episod, si shumë të tjerë të ngjashëm, të bën të shohësh me tmerr një këmbim pushteti që nuk prodhon ndryshim. Ngjarje si kjo, kur mbyllja e gojës tani, bëhet si kompromis në emër të pushtetit të nesërm, projekton, në rastin më të mirë, një Shqipëri vërtet pa Edi Ramën, por në të cilën trashëgimia e tij nefaste është ulur këmbëkryq.
Besoj se askush nga ne nuk kërkon këtë.
Nëse në të ardhmen na ofrohet një mundësi pa pasur “barbarin” mbi krye, po ku të gjithë do kërkojmë drejtësi tek gjyqtarë të formatuar sipas modelit të juristëve që betohen buzë Lanës, ku do vazhdojmë të paguajmë për traun e rrugës së kombit, ku do të bëjmë analizat tek koncesioni i Check-Up, ku do bëjmë tifo për kombëtaren në Air Albania dhe do të duartrokasim talentin e paimagjinueshëm të Artan Imamit dhe Laert Vasilit në godinën e re të Bjarke Ingelsit, pra nëse oferta është që të heqim qafe Ramën por të ruajmë të gjitha karakatinat e tij, përgjigjia duhet të jetë e prerë: “JO faleminderit”.
Dhe me menyrën se si po sillet, Basha nuk ofron në asnjë rast më tepër sesa kaq.