Nga Gjergj Thanasi
Gazetari veteran italian ( i adoptuar në Shqipëri) Karlo Bolino promovoi në Durrës librin e tij “Heshtja e dyfishtë”. Gjatë promovimit të librit,analisti Ilir Kulla dhe vetë Bolino zbuluan fakte të reja për “meselenë” e armëve kimike, që Amerika dëshironte t’i shkatërronte në Shqipëri. Këto fakte të reja më përforcuan ndjesinë, që pata gjatë leximit të librit, që Bolino kishte bërë një apologji të Kryeministrit Rama, përsa i përket vendimit të tij për t’i thënë JO Amerikës.
Në traditën më të mirë të Gazetës “Popolo d’Italia”, që humbjet, disfatat, shpartallimet e Ushtrisë mbretërore ( Reggio Esercito) i paraqiste si fitore apo së paku si bëma heroike, Bolino dështimin e dyfishtë në Tiranë e “pikturon” me mjeshtëri thjesht si një heshtje të dyfishtë.
JO-ja e Ramës nuk ishte heshtje e dyfishtë, por dështim i dyfishtë i tij dhe i Ambasadës amerikane në Tiranë. Kryeministri Rama dështoi në pikën më të fortë të Qeverisë Rama, në marëdhëniet me publikun, ose siç e quanim në të kaluarën, në agjitprop.
Kryeministri dështoi në marrëdhëniet me publikun me popullin e vet. Dështoi pikërisht me ata zgjedhës, që vetëm tre muaj më parë i dhanë koalicionit të drejtuar nga Rama fiks një milion vota më shumë se koalicionit Berisha. Alibija e Karlos për një kërkesë taksative amerikane, që Rama të heshte para popullit të vet, partisë së vet, shumicës së deputetëve të vet dhe para disa prej ministrave të vet nuk qëndron. Në popull, “gojë” të specializuara përhapën thashetheme monstruoze, që armët kimike do kishin madje edhe radioaktivitet. E di dhe bufi, që armët kimike nuk kanë kurrfarë lidhje me radioaktivitetin. Ngrihet pyetja çfarë e pengonte Ramën publikisht t’ua shpjegonte këtë shqiptarëve. Le të merrte me vete dy specialistw të nivelit ndërkombëtar si prof. Luan Qafmolla apo Dr. Poci e t’ua theksonte shqiptarëve se të përziesh armët kimike me radioaktivitetin është si të ngatërrosh kekun me byrekun. Unë nuk e di nëse ishte tangërdhëku, mendjemadhësia, mendje shkurtësia, arroganca, apo të tëra bashkë që e penguan Ramën të komunikonte me popullin e tij, me elektoratin e tij, por jam i sigurtë, që rezultati ishte një JO antiamerikane nga Kryeministri i kombit më pro amerikan të Europës.
Në librin e Bollinos zbulohet një fakt shumë i rëndësishëm në kronologjinë e përpjekjes amerikane për të demontuar në Shqipëri arsenalin kimik të Asadit. Që në javën e parë të shtatorit zv/sekretarja e shtetit Victoria Nuland i kërkoi Kryeministrit Rama kontributin e Shqipërisë në këtë proces. Kërkesa u bë në prani të ministrit Bushati dhe ambasadorit Ferit Hoxha. Ky fakt mjafton për të ilustruar mospërfilljen kriminale të Ramës ndaj grupit parlamentar të maxhorancës dhe mendjelehtësinë e tij thuajse proverbiale në trajtimin e çështjeve të sigurisë kombëtare, në këtë rast të sigurisë globale. Të informohet që në kryekreje Ferit Hoxha, koplikari (i lindur në Koplik), me grua franceze, me kontribut të shquar në tentativë tjetërsimin e 300 km det shqiptar, me laptop të kriptuar të zhdukur në rrethana misterioze nga zyra e Ambasadorit në Nju Jork dhe të lihet në errësirë deri në fund Arta Dadja deputete veterane, ish ministre e kulturës dhe e punëve të jashtme aktualisht kryetare e komisionit parlamentar për politikën e jashtme, është për të vënë duart në kokë. DGSE-ja franceze, VCR-ja putiniane, ndoshta dhe BIA serbe (nëse zoti ambasador vazhdon traditën familiare) e mësuan kumtin e zj. Nuland thuajse menjëherë, por për deputeten Dade e dhjetwra deputetë të mazhorancës ky kumt ishte sekret, sepse sipas zotit Bolino konfidencialiteti ishte kërkesë amerikane!!!!!!!! Rusi, francezi e ndoshta serbi ta mësojnë, por veç Arta Dade e një kope me deputetë mazhorance nuk duhet të dinë gjë, ky është nonsense Bolino në përpjekje për t’i bërë avokaturë dështimit të Kryeministrit Rama. Një alibi e tillë më kujton oficerët kokëboshë komunistë, që në zbor na urdhëronim të ruanim sekretin edhe për manualin e automatikut Kallashnikov apo të pushkës Simonov, ndërkohë që armiqtë tanë socialimperialistët sovjetikë dhe revizionistët kinezë të tilla armë i kishin prodhuar në miliona ekzemplarë. Kryeministri ynë e ruajti “sekretin e Pulcinelës”, që e dinte gjithë Napoli nga grupi i vet parlamentar, nga ministra socialistë si ato të kulturës, arsimit, apo ai i ekonomisë, pa folur për ministra aleatë si ai i bujqësisë, transporteve apo ajo e integrimit. Bravo z.Kryeministër, por kjo punë është si qemania e Nastradinit, që i dëgjohet avazi sabajle. “Avazi” ishte, që ministrat dhe deputetët (përjashtuar idealistin Erion Braçe) e lanë kryeministrin vetëm përballë histerisë popullore dhe ligësisë së ambasadës ruse në Tiranë.
Analisti Kulla para auditorit në Durrës theksoi se ai që në javën e fundit të shtatorit e kishte mësuar në Nicë të Francës kërkesën amerikane që Shqipëria të kontribonte në asgjësimin e arsenalit kimik të Asadit. Gramoz Ruçi, deputet veteran, ministër punist, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Sekretar i përgjithshëm i PS-së nuk e dinte këtë farë sekreti as në javën e parë të nëntorit. Për Kryeministrin Rama bishti –Kulla rëndonte më shumë se sqepari – Gramoz, prandaj, edhe kur Rama u përball me protestën popullore, të tijët, ministra dhe deputetë, nxituan t’ia kthejnë mbrapsh pikërisht “bishtin e sqeparit”.
I dyti dështim i madh ishte ai i Ambasadës amerikane në Tiranë. Kjo ambasadë dështoi në pikën e saj më të fortë, në pushtetin e butë ( soft power). Që Ambasada amerikane në Beograd të dështojë është normale, sepse shumica e popullit serb e urren Amerikën. Që Ambasada amerikane në Athinë të dështojë nuk është habi, sepse segmente të gjera të publikut grek e urrejnë Amerikën. Të dështojë Ambasada amerikane në Tiranë është turp dhe qyqarllëk për personelin e saj, sepse shumica dërrmuese e kombit shqiptar e respekton thuajse deri në idolatri Amerikën.
Thelbësore në dështimin e Ambasadës amerikane në Tiranë ishin një grup OJQ-qërrsash, shushunja parash, që ishin fryrë me dollarët e taksapagueve amerikanë (USAID, ALBACEL, IRES etj.et.j.), apo të filantropëve amerikanë si psh të Xhorxh Sorosit. Për të tillë frymorë vlen të përmendet proverbi shqiptar: Ha bukën e turkut (Amerikës) dhe bën duanë e kaurrit (Rusisë).
Ambasada amerikane dështoi kur mendoi se Kryeministri Rama ishte njeriu i tyre në Tiranë, njeriu që kishte në xhep kyçin, që hapte çdo derë dhe u zgjidhte çdo hall amerikanëve në Tiranë. Fatkeqësisht Ambasada ruse në Tiranë kishte një dyzinë me “çelësa kopilë” dmth me individë kopilë, që u mbyllnin çdo derë amerikanëve në Tiranë, duke e lejuar Kryeministrin Rama t’i mbante krenarisht në brez çelësat e kashtës. Dështimi i Ambasadës amerikane në Tiranë ndoshta ishte edhe shkaku i shkartisjes së personelit (personnel reshuffling) të ambasadës menjëherë pas dështimit të 15 nëntorit.
Personalisht nga kolegë malazezë mora vesh, që më 13 nëntor Kryeministri Rama do vizitonte Malin e zi ngutazi e gjysëm inkonjito. Në datën 13 nëntor, deputetë, ministra e kryebashkiakë me peshë të PS-së nuk e dinin, që Kryeministri i tyre po rrugëtonte për në Podgoricë. Supersekretin Rama ta dijë paraprakisht , ditë më parë Marko Vesovici i DAN-it dhe të mos e dijë Erjon Braçe, deputeti simbol i PS-së! Ky është kulmi! Kryetari i ish Shoqatës së gjuetarëve të Jugosllavisë dhe ANB-ja malazeze kishte marrë masa për mbarëvajtjen e vizitës, ndërsa e besuara e Kryeministrit, që mbikqyr SHIK-un shqiptar nuk ishte informuar për këtë vizitë, në një kohë kaq problematike!!!
Ambasada ruse në Tiranë me shumë pak shpenzime, duke përdorur dosjet e pluhurosura të së kaluarës të GRU-së, KGB-së apo Sigurimit, arriti të vinte në rrjesht pronarët e OJQ-ve shqiptare që deri dje majmeshin me dollarët e Daj Samit. Në rrjesht u vu Holta, spiun që në kohën e gjyqit të Bashkim Shehut. Në rrjesht u vu e bija e ish zv/ministrit spiun sovjetik, që në 1958 (konsultoni listën e spiunëve të KGB-së e denoncuar te Diktatori nga Malo Hashorva). Në rrjesht u vu deputeti hajduto-rilindas (qyl deputet me këmbënguljen e Ramës), sepse çoç kishte firmosur, kur në mesin e viteve ‘90 merrej me biznes në Rusi. Me ndihmën e BIA-s, me letrat e KOS-it të mesit të viteve 90-të, u mobilizua në frontin anti Ramë edhe deputeti veteran Sllavo-shqiptaro-myslyman.
Në historinë e këtij dështimi spektakolar një vëzhgues i paanshëm nuk mund të mos i heqë kapelen gjithë respekt rezidenturës me zyra te Rruga “Donika Kastrioti” në Tiranë dhe të kthejë kokën mënjanë me përbuzje të përzier me keqardhje të thellë për Shefin e stacionit, që banon te “Rilindja Ridge” po në Tiranë.
Njëlloj si në përrallën e Ezopit, “luani” amerikan kishte ngecur në rrjetën e ngritur me mjeshtëri nga shiloviku Putin. “Miu” Rama kishte rastin e artë, që me dhëmbët e tij të mprehtë, t’i priste litarët e rrjetës dhe ta çlironte “luanin” Obama. Më pas LUANI do të dinte ta tregonte zemërgjerësinë e “mbretit të pyllit”, për MIUN e vockël, që e ndihmoi, kur ishte në rrezik. Për turp të zotit, “miushi” Rama nuk kishte dhëmbë për t’ia brejtur litarët luanit. Kjo pamundësi të kujton gazmoren me Kim Kardashian-in, e cila ftoi një mashkull në shtrat dhe ai iu përgjigj: “Faleminderit për ftesën, por nuk mundem, se kam harruar Viagrën në zyrë”.
Dolcis in Fundis
Kryeministri Rama kopjoi me mendjelehtësi Ngujen Van Thieun e Vietnamit të jugut. Kur komunistët e gjeneral Xhapit ndërmorrën sulmin final dhe amerikanët për arsye madhore e braktisën qeverinë jugvietnameze në fatin e vet, Thieu botoi në gazetat e kryeqytetit letrat konfidenciale, që i kishin dërguar në vite presidentët Xhonson dhe Nikson. Prap se prap Amerika ia fali një marrëzi të tillë Thieut duke e evakuar me helikopter para se Sajgoni të binte në duart e komunistëve. Kryeministri ynë letrën konfidenciale të Presidentit Obama ia kaloi gazetarit të mirënjohur Bolino, që ta botonte në librin e tij. Krahasimi çalon pak, sepse amerikanët nuk e braktisën Ramën si Thieun e Vietnamit. Fatkeqësisht Kryeministri Rama ndërmjet përkrahjes amerikane dhe zbythjes para presioneve të Sazan Gurëve shqiptarë, preferoi këtë të dytën. Le të lusim zotin, që amerikanët do ta trajtojnë Ramën njëlloj si Jezui ebrenjtë me shprehjen lapidar: Fali o Atë se nuk dinë ma mirë! Kjo shprehje mund të përditësohet në formën: Amerikë fale Ramën se nuk di ma mirë, dhe nuk ka këshilltarë, që ta këshillojnë më mirë!
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





