Tiranë, 30 qershor 2014 – Motori me të cilin lëviznin autorët e vrasjes së bankierit Artan Santo mendohet se ka ardhur nga Kosova. Ndërkohë dyshohet se mjeti ka hyrë në Shqipëri vetëm për të kryer këtë krim.
Nga ana tjetër, tre skafandrat e gjetura në zonën e Fushë Kuqes nuk kanë lidhje me krimin. Mësohet se për të hetuar këtë ngjarje të rëndë është kërkuar informacion edhe nga shërbimet sekrete të huaja.
Prokuroria po heton edhe transfertat bankare, por duket një proces i vështirë. Në hetim është përfshirë edhe Qendra Inteligjente FINT, e njohur si Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave pranë Ministrisë së Financave.
Përveç kësaj, siç raporton Dita, po hetohet edhe kasaforta personale e Santos, pasi të dhënat zyrtare të bankës nuk janë të mjaftueshme. Hetuesit dyshojnë se mund të jetë vepruar me dy bilance, ndaj kanë shpresa se në kasafortën “Excel” do gjejnë informacione që do ndihmojnë më shumë hetimin.
Ndërkohë, raportohet se Prokuroria e Tiranës ka tërhequr nga Krimet e Rënda dosjen e kokainës. Bëhet fjalë për hetimin e sasisë prej 250 kilogramë të kapur në Mal të Zi. Është përfolur se vrasja mund të ketë lidhje me këtë dosje.
Kolumbiani që u arrestua në Tiranë ka deklaruar se pas mbërritjes së drogës do bëhej një pagesë prej 1 milion eurosh përmes një banke të nivelit të dytë. Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për këtë bankë, por prokuroria po bën verifikimet.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





