DURRES – Prokuroria e Durrësit shpalli moskompetencën dhe i ka kaluar njësisë task-force në kryeqytet materialet në ngarkim të tre gjyqtarëve të Apelit Durres, të akuzuar nga familjarët e ish-shoferit të kryekomisarit Adem Tahiraj se kishin kërkuar para për ta liruar nga burgu ish-policin Fatmir Hoxha. 

Në këtë mënyrë, për të verifikuar këto pretendime, veprimet e mëtejshme hetimore do të kryhen nga Prokuroria e Tiranës. 

Ne fakt, nisjen e verifikimeve i njoftoi ne fillim te vitit Zyra e shtypit e Prokurorit të Përgjithshëm, e cila vuri në dijeni se prokuroria është vënë në lëvizje pas denoncimit në media të familjarëve të Fatmir Hoxhës të cilët treguan një zarf, ku sipas tyre ishin 5 mijë eurot që ja kishin ofruar gjyqtarit për të ndryshuar masën e sigurisë, por ai nuk ka pranuar pasi ka kërkuar më shumë e konkretisht 15 mijë euro". 

Ndërkaq, Gjykata e Krimeve të Rënda ka publikuar daten 18 janar si ditën e nisjes së procesit ndaj të akuzuarit për vrasjen e Adem Tahirajt, Ilir Xhakja. Në dosjen për gjykim shkruhet se ndaj Ilir Xhakjes rëndojnë katër akuza ajo e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Adem Tahiraj, vrasjes së mbetur në tentativë ndaj shtetases Lena Noka, “Kundërshtimit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. 

Dosja përshkruan në detaje gjithë ngjarjen e rëndë të asaj dite ku u ekzekutua në krye të detyrës kryekomisari i Shijakut. “Gjithçka ndodhi rreth orës 17:00 ku 5 efektivë policie të Shijakut me 3 automjete u urdhëruan të kryejnë patrullime në qytet dhe rrethina nën drejtimin e Shefit të Komisariatit. Pas konfliktit fillimisht me shtetasin Ledio Krasniqi afrohet me një automjet tip Regina Ilir Xhakja, person me precedentë të shumtë kriminalë. Shefi i Komisariatit Adem Tahiraj e pyeti personin kush ishte dhe çfarë kërkonte. Xhakja reagoi menjëherë në mënyrë të dhunshme dhe nxorri pistoletën nga brezi, mundi të vendosë dorën mbi supin e tij dhe qëlloi gjashtë herë rresht mbi trupin e Kryekomisarit.. Vdekja ishte e menjëhershme”,- thuhet ndër të tjera në dosje.