Tiranë, 5 gusht 2014 – Prokuroria e Tiranës kallëzon penalisht personat që kanë lidhje me hartimin e marrëveshjes detare me Greqinë.
Burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se është regjistruar procedim penal për marrëveshjen e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, me pretendimin se ishte shkelur Kushtetuta e vendit.
Prokuroria e Tiranës ka dyshime të forta se me këtë marrëveshje është shkelur Kodi Penal i Shqipërisë, përkatësisht neni 210 i tij.
Procedimi penal vjen pak kohë pasi Ministria e Jashtme depozitoi në organin qendror të akuzës një material voluminoz për çështjen më të debatuar që nga viti 2009.
Sipas prokurorëve, në materialin e Ministrisë së Jashtme ka të dhëna të mjaftueshme, që i bëjnë ata të dyshojnë se është shkelur neni 210 i kodit penal.
Në Prokurorinë e Tiranës pritet të thirren 11 ekspertët që morën pjesë në hartimin e kësaj marrëveshje. Mes ekspertëve janë specialistë që ishin në rolin e negociatorëve, sikurse kryenegociatori i palës shqiptare Ferit Hoxha, kundëradmirali Kristaq Gerveni, në atë kohë me detyrë zëvendës/shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu, drejtori i çështjeve juridike dhe ndërkombëtare Ilir Tepelena, drejtoresha e Traktateve Ledia Hysi, deri te specialistë të fushës, sikurse nga fusha e Fotogrametrisë Ferdinant Berberi, apo Anduel Çauli i sektorit të Hartave Dixhitale.
Por prokurorët nuk konfirmojnë nëse do të jetë në këtë listë edhe ish-ministri i Jashtëm i asaj kohe, Lulzim Basha, në rolin e njeiut që firmosi marrëveshjen me homologen greke, Dora Bakojanis.
Kodi penal për këtë vepër penale parashikon një dënim që shkon nga 5 deri në 10 vjet.
Marrëveshja mes Greqisë dhe Shqipërisë u nënshkrua me 26 janar 2010 në Tiranë. Pakti u firmos nga dy ministrat e Jashtëm të asaj kohe, përkatësisht Dora Bakojanis nga pala greke dhe Lulzim Basha, nga pala shqiptare.
Marrëveshja e prillit 2010 hapi debate të forta politike për paktin detar, pasi u zbulua se Shqipëria humbiste një sipërfaqe prej gati 354 miljesh katrorë sipërfaqe detare nga kjo marrëveshje.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





