Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet më në fund të vendosë mbi fatin e procedimit penal të nisur ndaj ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, i cili akuzohet për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të Habilajve, që u godit në Itali.

Ditën e hënë përfundon afati i hetimit, pas dy shtyrjesh dhe prokuroria pritet të dalë me një vendim nëse do ta dërgojë për gjykim ish-ministrin Tahiri, apo do të pushojë çështjen ndaj tij.

Ndërkohë burime të Top Channel pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë pohuar se grupi i hetimit të kësaj çështjeje pritet të kërkojë dërgimin për gjykim të Tahirit.

Kjo kërkesë pritet t’i bëhet Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë mbi fatin e dosjes. Nga hetimet e kryera ish ministri Tahiri dyshohet se i ka krijuar lehtësira grupit të Habilajve, për kultivimin dhe më pas trafikimin e kanabisit drejt Italisë.

Këto dyshime Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka ngritur pasi në më shumë se një rast eksponentë të grupit kriminal kanë përdorur mjete motorike dhe detare në emër të ish-ministrit Tahiri. Për këtë prokuroria ka marrë edhe disa letërporosi nga Greqia, Mali i zi dhe Italia.

Në të njëjtën dosje me ish ministrin Tahiri, është edhe ish financieri i grupit të Habilajve, Nezar Seiti, i cili në rrugë esktraproceduriale u ekstradua në Itali, por që më pas autoritetet italiane e liruan dhe aktualisht ai është në pritje të gjykimit nën masën e sigurisë arrest shtëpie.

/TCh/