Greqi, 3 prill 2014 – Ndërsa hetimi mjeko-ligjor vazhdon për gjetjen e shkaqeve të vdekjes së Ilia Karelit, shtypi grek nuk ndalon së publikuari të dhëna për mënyrën se si u torturua për vdekje shqiptari në qelinë e burgut të Nigritas. Sipas të dhënave të fundit, një torturë e egër i është bërë në thembrat e këmbëve, të cilat ia kanë goditur me një çarçaf të lidhur nyje, si kamzhik të improvizuar dhe të lagur me ujë, që goditjet të jenë edhe më të forta. 

Koha e torturës përkon me atë të dorëzimit të të dënuarit në burgun e Nigritas, nga ora 16:00 deri në orën 18:30 të 27 marsit. Në qelinë pa kamera ku kishin futur Karelin, rojet e burgut hynin e dilnin me radhë duke u ndërruar. Ata e kanë qëlluar shqiptarin me shkelma dhe grushta në të gjithë trupin, duke i thyer kafazin e kraharorit me bërryla. Siç njoftohet, drejtori i burgut ishte i pranishëm gjatë torturës, megjithatë, jo vetëm që nuk i ndali zyrtarët e burgut, por edhe u përpoq të fshehë veprimet. 

Në dhomën e torturës policia gjeti shenja gjaku, të cilat kishin tentuar t’i pastronin dhe kjo shërbeu si një shtysë e fortë për hetimet. Ndërkaq mësohet se të shtunën 15 roje të burgut të Nigritës do të dëshmojnë në prokurori. Thirrjet për dëshmi do të dërgohen me parë dhe ata do të kenë disa orë kohë për të marrë kopje të aktakuzës dhe për të marrë avokatë. 

Sipas burimeve gjyqësore, vepra penale për të cilën rojet e burgut do të japin shpjegime është ajo e torturës së rëndë me pasojë vdekjen e të dënuarit. Në listën e mësipërme nuk përfshihet drejtori i burgut të Nigritas, i cili përballet me akuza për fshehjen e krimit. 

(BalkanWeb)