Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur mbrëmjen e sotme në lidhje me hetimet për çështjen e inceneratorëve.
Meta deklaroi se SPAK i ka faktet para syve duke theksuar se nuk e pranon dot drejtësinë me regji.
Ai u shpreh se është e rëndësishme që të kemi rezultate dhe jo prova ashtu si ka pasur më parë, edhe pse faktet për këtë aferë kanë dalë 3-4 muaj para zgjedhjeve.
“Unë kam provën e Edi Ramës dhe Ëngjëll Agaçit. Unë kam qenë kryeministër dhe dua të siguroj qytetarët që asnjë vendim nuk është miratuar në kohën kur Ilir Meta ka qenë kryeministër, nëse një ministër dilte kundër. Për çdo akt shtyhej mbledhja derisa të dakordohej vendimi. I vetmi rast, e dinë edhe ata ish anëtarët e qeverisë Meta që kanë qenë apo janë në PS.
I vetmi rast që është diskutuar apo është shtyrë katër herë mbledhja e qeverisë se Edi Rama nuk i bënte letrat në rregullat për fasadat e ministrive. Katër herë janë shtyrë mbledhjen e qeverisë sepse e kundërshtonin ministrat e financave, etj.
17 vendime në një mbledhje qeverie për të cilat duhet një proces të paktën 7 muaj. Këto janë bërë me imponimin e tij dhe sekretarit të përgjithshëm dhe në kundërshtim me vullnetin e ministres së financave, drejtorit të prokurimeve dhe shumë zyrtarëve të tjerë.
Atje janë letrat shumë të qarta dhe faktet. Që ne të mos shohim dhe të mos e vëmë gishtin në plagë, dhe gishti në plagë është Edi Rama për këtë shtet.
Çfarë faktesh më shumë duam. Drejtësinë me regji nuk e pranoj dot. Jam për drejtësi të vërtetë në përputhje me kushtetutën dhe me ligjin. Shqipëria e para në korrupsion kudo.
E rëndësishme është të kemi rezultate dhe jo të kemi vonesa, ashtu si pati në hetimet e Inceneratorëve, Sepse faktet kanë dalë 3-4 muaj para zgjedhjeve”, tha Meta.
Ai u shpreh se personi që përfiton nga kjo situatë është Edi Rama, i cili sipas tij kërkon ta kthejë Shqipërinë një vend për pastrimin e parave të bandës në pushtet.
“Edhe pse u bënë dokumentet publike, me numra llogarie, me shkresa, me emra kompanish. Janë konkretë emrat e asaj të ndjerës apo atij bariut. Edi Rama ka përfituar.
Kush do të bëjë amnistinë fiskale? Edi Rama. Që ta kthejë Shqipërinë në një vend për pastrimin e parave të kësaj bande që qeveris vendin”, deklaroi ai.