Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme nisi sot shqyrtimin e masave të sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë vendit për ish kryeministrin Sali Berisha, të marra ndaj tij në kuadër të hetimit mbi procedurat e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani në kryeqytet. Këto masa janë konsideruar antikushtetuese nga zoti Berisha, sipas të cilit, do të duhej që më parë Prokuroria e posaçme të kërkonte autorizim nga parlamenti. Megjithatë, ai u përfaqësua nga dy avokatë në seancën e cila u shty për të vijuar ditën e nesërme.
Për të disatën herë, edhe sot, ish kryeministri Sali Berisha këmbënguli se masat e sigurisë të vendosura ndaj tij nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të Prokurorisë, janë sipas tij në shkelje të Kushtetutës: “Në çdo kohë, unë jam i gatshëm të paraqitem, siç jam paraqitur kur më kanë thirrur, për t’u pyetur dhe për çdo gjë. E vetmja gjë, që nuk mund të pranoj kurrë, të shkel Kushtetutën e vendit”.
Ai i referohet nenit 73 pika 2 të Kushtetutës, duke deklaruar se kufizimi i lirisë së deputetit në çdo lloj forme, bëhet me autorizim nga parlamenti. Por neni 73, e kushtëzon këtë, në rastin e heqjes së lirisë, pa përmendur termin kufizim të lirisë.
Ndërsa në orën 14.00 në Gjykatën e Posaçme nisi seanca për masat e sigurisë ndaj tij, zoti Berisha ishte në një konferencë shtypi. Dhe ndonëse kishte refuzuar të firmoste për dy ditë me radhë dokumentet e gjykatës me anë të të cilave ai vihej në dijeni për masat shtrënguese, në sallën e gjyqit ai përfaqësohej nga dy avokatë. Mbrojtësit e tij njoftuan se “sot është bërë kallëzim në SPAK ndaj gjyqtares së çështjes për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” pasi vendimi është në shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit procedural penal. Mbi këtë bazë ne kemi kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, dhe kemi depozituar kërkesën”, deklaroi avokati Genc Gjokutaj. Seanca është shtyrë më pas për të vijuar ditën e nesërme.
Ish kryeministri dyshohet, për veprën penale të Korrupsionit, për rastin e procedurave të Privatizimit të ish Kompleksit sportiv Partizani, pasi sipas Prokurorisë së Posaçme, ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër ish pronarët e tokës, përmes ndryshimeve ligjore apo vënies së institucioneve shtetërore në shërbim të interesave të dhëndrit. Zoti Berisha ka hedhur poshtë gjetjet e Prokurorisë së Posaçme, duke folur për akte të mbushura me gënjeshtra e manipulime, si dhe për një skenar me sfond të pastër politik, sipas tij.
Një ditë më parë Gjykata konfirmoi masat e sigurisë për ndërtuesin Fatmir Bektashi dhe Jamarbër Malltezin. Ky i fundit u arrestua të shtunën pasdite. Ndaj tij është dhënë dhe masa e sekuestros mbi një numër të madh pasurish të paluajtshme dhe llogarish bankare. Një ditë më parë autoritetet sekuestruan një vilë në zonën bregdetare të Lalzit, ndërsa sot u vijua me bllokimin e disa dyqaneve dhe apartamenteve të tij në Tiranë./VOA