Ditët në vazhdim, me siguri të martën, prokuroria e Shkodrës do të rimarrë në pyetje kunatën e Alma Arrazit dhe të dashurën e bashkëshortit të të ndjerës.
Ky veprim hetimor do të kryhet sipas burimeve jo vetëm në vazhdën e akuzave të shkaktimit të vetëvrasjes që rëndon ndaj Erdgys Arrazit. Por edhe për të sqaruar tej çdo dyshimi të arsyeshëm shumë pikëpyetje që grupi i hetimit ka mbi ngjarjen tragjike të 2 majit, ditë në të cilën dyshohet se Alma hodhi tre fëmijët në Bunë dhe më pas u vetëvra.
Njeriu i fundit që e takoi të ndjerën është kunata, e cila konsumoi kafe në një lokal lojërash për fëmijë dhe ajo konsiderohet si çelësi i hetimeve, që do të sqaronte konfliktet midis çiftit, i cili prej shtatë muajsh gjendej në krizë nga lidhja jashtëmartesore e Erdgysit me një 17-vjeçare. Por ndërsa ekspertët kanë administruar dhjetëra kamera sigurie që tregojnë itinerarin e të ndjerës dhe dëshmi të të afërmeve, për shkak se zona ku zhduket nëna me tre fëmijë është e pambuluar me kamera, dy veprime shkencore do të japin përgjigje definitive shumë pikëpyetjeve.
Përgjigjja e parë pritet nga mjekësia ligjore për analizat toksikologjike ndaj të ndjerës dhe tre fëmijëve, dhe akti i dytë pritet nga policia shkencore mbi telefonin e Erdgys Arrazit, i cili ka fshirë çdo komunikim me bashkëshorten dhe ndaj hetuesit kërkojnë rikthimin e bisedave për të provuar veç kërcënimit psikologjik edhe kanosjen verbale.
Nga ana tjetër i arrestuari mbahet në burgun e Reçit dhe nën këqyrje dhe sakaq autoritetet e burgjeve kanë studiuar kartelën e tij të mëparshme, që shfaq vlerësimin e psikologëve në qeli gjatë kohës që Erdgys Arrazi u mbaj i paraburgosur për drogë
Një psikolog i burgut shkruan se Arrazi gjatë vitit 2022 shfaqi interes në qeli për programet rehabilituese duke ndjekur trajtimin individual “ aftësimi social” dhe ‘ prezantimi i të menduarit”.
E njëjta kartelë tregon se Arrazu gjatë dy muajve në burg kishte kryer tre biseda me familjen në skype dhe vetëm një takim fizik me fëmijët dhe gruan. Ai deklaronte në atë kohë se kishte marrëdhënie të mira dhe të qëndrueshme. /TCH