Tiranë, 15 korrik 2014 – Gjykata ka lënë të lirë sot Sajmir e Klodian Gjozi, dy kushërinjtë nga Fushë Kuqja, të cilët u vunë në pranga pas dyshimeve për përfshirje në vrasjen e bankierit dhe biznesmenit Artan Santo, më 26 qershor 2014. Ky vendim që ka lidhje me dosjen "Santo" duket se e kthen hetimin në pikën zero.
Gjykata ka vendosur sot vetëm masën detyrim paraqitje për ta, ndërsa pritet që për pak orë vëllezërit të lënë qelitë e paraburgimit. Kushërinjtë Gjozi mësohet të jene shprehur se duhet të ishin liruar më herët, ndërsa avokati i tyre deklaron se do kërkojë dëmshpërblim për ditëet që janë mbajtur në qeli.
Dje, edhe Prokuroria e Tiranës ka kërkuar lirimin e dy kushërinjve, të cilët që në momentet e para pas arrestimit, kanë mohuar kategorikisht implikimin në ekzekutimin e bankierit. Përgjatë kësaj kohe, prokuroria duhet të siguronte prova fajësie ndaj dy të dyshuarve, por mesa duket nuk ka arritur të ketë në duar qoftë dhe një të tillë, sa për të mbajtur prapa hekurave, dy kushërinjtë Gjozi.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





