Seanca e sotme parlamentare është përfshirë nga debatet që në nisje të saj. Shkak është bërë arrestimi i ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal dhe akuzat e opozitës ndaj kryeministrit Edi Rama në lidhje me të. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ka kërkuar një mocion me debat për këtë çështje u shpreh se Shqipëria gjendet në epiqendër të një cikloni për shkak të kësaj ngjarje.
“Këto ditë, Shqipëria gjendet në epiqendër të një cikloni që do poshtëronte çdo vend. Kryeministri i Shqipërisë, ministra të tij, këshilltarë të tij janë të implikuar direkt në një aferë korruptive në korruptimin e njërit prej njerëzve me njohur më të jashtëzakonshme, më sensitive në SHBA për sigurinë e këtij vendi, por edhe sigurinë e vendeve të lira. Prej muajsh, një juri ka urdhëruar hetimin e çdo mesazhi, çdo takimi, çdo udhëtimi, çdo dhurate, çdo emaili, dhe gjithçka tjetër midis McGonigal, Dorian Duçkës, Agron Nezës dhe Edi Ramës. Kjo juri e citon në vendimin e saj në mënyrë të përsëritur, Edi Ramën dhe vetëkuptohet të dashur qytearë se për të bërë një kontroll të tillë nuk bëhet pavendosur në hetim personat që citohen., Skandali shpërtheu në mënyrën më të fuqishme pas arrestimit në aeroport të McGonigal nga FBI. i cili akuzohet se në raport me Kryeministrin e Shqiërisë, ai ka fshehur, ka manipuluar, ka falsifikuar, dokumente. Akuzohet se ky njeri i pafytyrë, njeri i pakarakter që ka shkelur ineresat e vendit të tij, ka marrë porosi me para nga zyra e Kryeministrit shqiptar për të hetuar lobimin e opozitës”, tha Berisha.
Kryedemokrati u shpreh se opozita do të qëndrojë në parlament dhe në sallë duhet të ketë vetëm një debat që ka të bëjë me këtë çështje. Berisha u shpreh se Rama duhet të jetë i pranishëm në Kuvend për të debatuar ose të shpallë dorëheqjen dhe të dëshmojë në SHBA.
“Rama ka keqshfrytëzuar një njeri të pakarakter, të pamoral, në vend që ta denonconte në vendin e tij, e ka përdorur kundër opozitës. E ka përdorur për manipulime kundër saj. Kjo ndodh vetëm në Korenë e Veriut. Kjo ndodh vetëm në Maduro të Venezueslës. Nuk mund të ketë në parlament debat tjetër përveç këtij debati. Shqiptarët duhet të marrin vesh të vërtetën. Edi Rama të vijë këtu ose të shpallë dorëheqjen dhe të dëshmojë në SHBA. Çfarë kërkoni ju të ndodhë më shumë se kaq”, u shpreh Berisha.