Prokuroria e Tiranës u njoftoi zyrtarisht akuzat për ndërtim të paligjshëm drejtuesve dhe inxhinierëve të kompanive Salillari dhe Arb&Trans 2010, që akuzohen se shkelën lejet e ndërtimit me disa mijë metra katrorë në kryeqytet, ndërsa ndërtuesit pretenduan se nuk kishin qenë në dijeni.

Kur u pyet nga prokurori për 2414 metra katrorë shtesë në pallatin që kompania Salillari sh.p.k po ndërtonte në afërsi të Kopshtit Zoologjik, Lulzim Salillari, administrator i kompanisë në kohën e ndërtimit, këmbënguli se nuk kishte qenë në dijeni.

Salillari madje i tha prokurorit se ai mësoi për katet pa leje vetëm kur çështja u bë publike në media.

“Ai ka sqaruar se nuk ka qënë në dijeni të këtij fakti dhe ka ardhur në dijeni kur në objekt ka shkuar ministri i Brendshëm dhe e ka bërë publike,” thuhet në dokumentin e njoftimit të akuzës së Prokurorisë së Tiranës.

Të paditurin për katet pa leje para Prokurorisë e ka bërë edhe Arben Maloku, ish-administratori socialist i njësisë së Zall-Herrit, njëherazi themelues i kompanisë Arb&Trans-2010 që ndërtoi pallatin në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë.

Maloku deklaroi se nuk kishte dijeni që kompania e administruar nga babai i tij të ketë kryer ndërtim pa leje, ndonëse i tha Prokurorisë se të katërta katet pa leje ishin shitur.

Prokuroria e Tiranës i konsideroi megjithatë dëshmitë e tyre të pabesueshme dhe pas një hetimi gati 2-vjeçar ngriti akuzën e “ndërtimit të paligjshëm” për kompaninë Salillari dhe administratorin e saj, Lulzim Sallillari.

Po të mërkurën, Prokuroria e Tiranës njoftoi akuzën edhe për kompaninë Arb&Trans-2010, ortakun e vetëm të saj, Shyqyri Maloku dhe punonjësit Hysni Gjoci, Dritan Gjoni, Edmond Ndoj dhe Orgeta Bardho (Kapllani). Kjo shoqëri dhe personat përgjegjës të saj akuzohen se shkelën lejen e ndërtimit me rreth 2700 metra.

“Nga analiza e të gjitha rrethanave konkludohet që të gjithë të dyshuarit kanë qenë në dijeni të kryerjes së ndërtimit në shkelje të rëndë të lejes së ndërtimit dhe në këto kushte, kanë vijuar të japë secili kontributin e tij për të vijuar me situatën e paligjshmërisë,” thuhet në aktin e njoftimit të akuzës nga prokurori Arenc Çela, njëkohësisht drejtues i Prokurorisë së Tiranës.

Dokumenti i njoftimit të akuzës nga Prokuroria lë të kuptohet se godinat në shkelje të lejes së ndërtimit u toleruan, pavarësisht se inspektorët e IMT-së së Bashkisë së Tiranës pretenduan të kishin ushtruar kontrolle dhe shkeljet ishin gjobitur.

Pallatet e ndërtuara nga kompania Salillari dhe ajo Arb&Trans 2010 u sekuestruan me bujë përmes një vendimi kontrovers të qeverisë, që u mundësoi atyre më pas që t’i riblenin shtesat pa leje me çmime 10 herë më të ulëta se ato të tregut.

Akuza e ndërtimit të paligjshëm në bashkëpunim me qëllime fitimi parashikon dënime nga 3 deri në 8 vjet burg sipas Kodit Penal. Të akuzuarit nuk qenë të arritshëm për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

Një sy qorr për katet pa leje

Prokuroria e Tiranës i filloi hetimet për pallatet që kishin shkelur lejet e ndërtimit në kryeqytet në vitin 2022, kur katet shtesë të komplekseve u denoncuan publikisht prej anëtarëve të qeverisë dhe më pas u konfiskuan në vendime të KKT-së.

Të dy pallatet për të cilat prokuroria ka përfunduar hetimet i përkasin një grupi prej 25 objektesh – kryesisht në kryeqytet, që u konfiskuan plotësisht ose pjesërisht nga Këshilli Kombëtar i Territorit, KKT bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave 589/2022, pasi u gjetën se kishin shkelur lejet e ndërtimit.

BIRN gjeti me herët se pas një procesi të diskutueshëm, që për eskpertët dhe opozitën shkel barazinë e qytetarëve para ligjit, pallatet u janë rishitur kompanive Salillari dhe Arb&Trans 2010 me çmime 10 herë më të ulëta se tregu. Në procesin e riblerjes, të dy kompanitë kanë pranuar se kishin shkelur lejet e ndërtimit, duke nënshkruar kontratat përkatëse me Ministrinë e Financave.

Hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës kanë zbuluar se shkeljet e lejeve të ndërtimit kishin qenë të njohura për zyrtarët lokalë të inspektimit dhe për policinë, por ndërhyrjet për të ndaluar paligjshmërinë ishin të vakëta.

Në hetimet për pallatin e Arb&Trans 2010 në rrugën “Myslym Shyri”, inspektorët e IMT-së pretendojnë se ia kishin referuar policisë gjetjet e tyre në janar 2022, duke e konsideruar këtë veprim të mjaftueshëm si kallëzim penal.

Inspektorët e Bashkisë kanë dëshmuar se gjetën shkelje të lejes në kompaninë e themeluar nga Arben Maloku, atëherë administrator i njësisë së Zall-Herrit, që në janar të vitit 2022. Shkeljet ishin jo vetëm në faktin që ishin shtuar kate, por edhe në ndryshim të projektit.

Por gjatë kontrollit në sheshin e ndërtimit, inspektorët kanë pretenduar se nuk gjetën asnjë person përgjegjës dhe procesverbalin e lanë në kantier.

Lidhur me kompanisë Salillari në pronësi të biznesmenit Pëllumb Salillari, prokuroria vë në dukje se shtesa ishte denoncuar nga qytetarë në korrik 2022 dhe hetimet zyrtarisht filluan në shtator të po atij viti.

Nga inspektorët e IMT-së pranë bashkisë së Tiranës, shkeljet ishin konstatuar që në korrik të vitit 2021, kur kompania ishte gjobitur.

“Nga kontrolli është konstatuar mungesë dokumentacioni në kantierin e ndërtimit, shkelje e kushteve teknike të ndërtimit dhe mungesë e vërtetimit të fillimit të punimeve,” citohen zyrtarët e bashkisë në dokumentin e Prokurorisë.

Ndërkohë, përgjegjësja e sektorit juridik pranë Bashkisë së Tiranës pretendoi se kompania ishte gjobitur më herët për shkeljet e gjetura në ndërtim para se pallati të denoncohej publikisht, por i tha prokurorisë nuk kishte dijeni pse nuk ishte bërë kallëzim penal.

Prokuroria gjeti në hetime se për pallatet ishte marrë fillimisht vendim prishje nga IKMT, por që është pezulluar për shkak të futjes së tyre në procesin e konfiskimit dhe riblerjes së shtesave. Gjithashtu, Instituti i Ndërtimit vlerësoi se strukturat e këtyre pallateve nuk do ishin të qëndrueshme nëse shtesat pa leje prisheshin.