Tiranë, 28 maj 2014 – Kauza e drogës i kthehet Sali Berishës në bumerang. Fijet e ngatërruara të trafikut të armëve naftës dhe kartelit të drogës po zgjaten me shpejtësi drejt kupolës së SHQUP-it, kupolë e cila kërkoi rrëzimin e qeverisë “Rama”, duke kthyer në akuzë avionin e Divjakës dhe historinë e trafikut të drogës në Shqipëri. Ndërsa dy bashkëkryetarët e PD kanë organizuar protestën e dytë anti-drogë, daroviten dilemat dhe mjegulla sa i takon orkestruesve të vërtetë të kultivimit dhe trafikut të drogës në Shqipëri. Hetimet intensive të prokurorisë dhe policisë, të asistuar edhe nga partnerët ndërkombëtar, kanë identifikuar fijet e para të trafiqeve, fije të cilat zgjaten drejt qarqeve më të larta të politikës. Hetimet për trafikun e drogës ka hapur petët e lakrorit të trafiqeve të qeverisë Berisha. Hetimet ndaj kartelit të drogës dhe avionit të Divjakës i kanë çuar grupet hetimore drejt zbulimit të trafiqeve të tjera, konkretisht trafikut të armëve dhe trafikut të naftës, të orkestruar nga dy bashkëpunëtorë të ngushtë të Sali Berishës. Bëhet fjalë për Arben Imamin dhe Agron Kuliçajn, i pari i akuzuar për trafik armësh drejt Libisë dhe Iranit, ndërsa i dyti i akuzuar nga Dritan Prifti dhe eksponentë të tjerë, për trafik nafte. Sipas burimeve, në ditët në vijim, pritet të dalin edhe emrat e parë të bashkëpunëtorëve të Sali Berishës të implikuar në trafik armësh, droge dhe nafte.   

Karteli i drogës   

Koka e kartelit të drogës në Shqipëri, janë pikërisht ata që garantuan mbrojtjen shtetërore të Lazaratit, i konsideruar si Kolumbia e Evropës, në këmbim të votave për PD si dhe të taksës së drogës, për t’u pasuruar dhe për t’u ricikluar në pushtet, duke blerë votat me para droge. Ndaj dhe histeria e Sali Berishës për drogën ka ardhur pas prishjes së këtij pazari. Por, hetimet ndaj kartelit të drogës, tashmë po i çojnë hetuesit drejt kupolës së SHQUP-it. Jo rastësisht, Arben Imamit, hapi debatin për përdorimin e bazave ushtarake për trafik droge. Askush më mirë se Arben Imami nuk e di të vërtetën e përdorimit të bazave ushtarake për trafik droge. Çfarë ka ndodhur? Sipas burimeve, bazat ushtarake, kur ministër i Mbrojtjes ishte Arben Imami, janë përdorur për të trafikuar drogën e Lazaratit drejt Iranit dhe Libisë. Gjithçka është zhvilluar nën kujdesin e pushtetit të atëhershëm, ish-kupolës së Policisë së Shtetit etj. Bëhet fjalë për periudhën nga vitit 2011 deri në shtator të vitit 2013, ku ka lulëzuar edhe trafiku i armëve dhe i naftës. Sipas burimeve, droga është trafikuar me shërbimet e ish-diktatorit të Libisë Muamar Gadafit dhe me forcat speciale QUD të Iranit, pra të ish-presidentit Mahmud Ahmadinexhad.   

Berisha braktis kauzën e drogës   

Hetimet e thelluara për trafikun e drogës, naftës dhe armëve përgjatë viteve të fundit, kanë përvëluar kupolën e SHQUP-it. Ndërkaq, dy bashkëkryetarët e Partisë Demokratike, të cilët fillimisht kërkuan të implikonin qeverinë në trafikun e drogës, kanë hequr dorë nga kauza e drogës, duke iu rikthyer një strategjie tjetër, asaj të përleshjeve fizike me mazhorancën në Kuvend. Por, tashmë hetimet duket se kanë marrë një rrjedhë të pakthyeshme dhe se shpejti pritet të dalë e vërteta e trafikut të drogës.

/gazeta “Sot”/