Zbulohen detaje të tjera, të cilat prokuroria dyshon se mund të kenë lidhje me shpërthimin me tritol, ndodhur 3 ditë më parë në Kombinat, ku mbeti i gjymtuar efektivi i Policisë Ushtarake, Elton Imeri.

Hetuesit tashmë e kanë fokusuar punën e tyre tek një grabitje me dhunë, e ndodhur në fillimi të këtij viti në Tepelenë. Në atë kohë, 3 persona të armatosur, grabitën 5 mijë euro në banesën e një çifti të moshuarish. Policia arriti të dokumentojë ngjarjen dhe të identifikojë autorët. Në këtë grabitje kishte marrë pjesë i vëllai i të plagosurit të Kombinatit, Ervis Imeri. Sipas burimeve nga policia, Ervis Imeri punonte në një firmë duraluimi dhe ai kishte punuar në shtëpinë e dy të moshuarve.

31-vjeçari, thotë policia, kishte pikasur që të moshuarit kishin para në shtëpi dhe sëbashku me dy persona të tjerë bënë planin e grabitjes.

Duke qenë se Ervisi njihte shumë mirë shtëpinë dhe kishte çelësat, nuk pati vështirësi në futjen e tyre në banesë dhe në grabitjen e parave.

Por kjo grabitje, sipas hetuesve, dyshohet se ka sjellë një sërë ngjarjesh të tjera kriminale.

Në 8 Qershor të këtij viti në Durrës, në zonën e Kënetës, në brendësi të një lokali, u vra me një plumb në kokë Robert Rama. Policia thotë së 31-vjeçari nga Laçi ishte një nga grabitësit. Në këtë atentat mbetën të plagosur aksidentalisht dhe dy të rinj të tjerë.

Në 11 Korrik të këtij viti, Ervis Imerit iu vunë 600 gramë tritol në makinën. Për fat, ai e pikasi pakon e dyshimtë dhe shpëtoi. Në këtë histori, i vetmi person që nuk është gjendur dhe policia nuk jep identitetin e tij, është grabitësi i tretë.

Për hetuesit, këto fakte i bëjnë më të besueshme dyshimet se atentati ndaj Elton Imerit ka lidhje me grabitjen e Tepelenës. /tvklan/