Aksidenti i rëndë në Bullgari, ku humbën jetën të paktën 45 persona, ka bërë jehonë në mbarë Europën. Ngjarja e rëndë ndodhi pasi një autobus me shqiptarë të Maqedonisë së Veriut u përplas dhe shpërtheu në flakë.
Ajo që mbetet e dyshimtë në këtë histori është shpërthimi i fortë pas përplasjes. Ekspertët thonë se rrjedhja e karburantit ka sjellë diçka të tillë.
Në dyert e autobusit janë gjetur shumë viktima, që po përpiqeshin të dilnin, por që nuk kanë mundur të hapin dyert për shkak se ishin bllokuar nga përplasja.
Mediat bullgare kanë intervistuar Georgi Iliev, një ish-hetues të Shërbimit Kombëtar Hetimor. Ai ka dyshimet e tij për ngjarjen e rëndë.
“Një autobus digjet për pesë deri në gjashtë minuta. Djegia fillon nga një pjesë. Nëse ky nuk ishte autobusi i fundit i kolonës, ata që e ndjekin duhet të shohin flakët rreth motorit. Djegia fillon ngadalë dhe ndjehet era e tymit.
Ajo që më bën të dyshoj është një shpërthim flakësh krejt i papritur- i barabartë me një eksplozion. Është e pamundur që kaq shumë njerëz të mos jenë në gjendje të lëvizin,” thotë ai.
Ai shton më tej se hetimi për këtë çështje pritet të jetë jo vetëm i vështirë, por edhe do të zgjasë në kohë.





