Ky frut interesant me origjinë nga Kina e largët ka mbi 4.000 vjet që kultivohet në të gjithë botën me më shumë se 400 varietete. Këtë vit kanë dalë më herët në treg edhe pse fillimisht me një çmim të lartë prej 600 lekë kilogrami.
Edhe në vendin tonë, idet apo hidet rriten nga jugu në veri. Ato i gjen në Tiranë, Durrës, Krujë, Lezhë, Shkodër, Lushnjë, Fier dhe Berat, por në vitet e fundit kanë nisur të kultivohen edhe në disa zona të Fushë Krujës, ku mund ta gjesh të mbjellë në masë këtë dru frutor.
Në fjalorin e gjuhës shqipe ky frut quhet hide, ndërsa në gjuhën e përditshme popullore i referohemi me ide, në jug të vendit xinxife kurse shkodranët dhe kryesisht pjesa e veriut e quan kimça.
Duket se çdo qytet dhe zonë ka dashur t’i japë ngjyrat e autenticitetit këtij fruti, duke i vënë një emër unik.
Por ide, hide apo kimça, më e rëndësishmja është që po flasim gjithnjë për të njëjtin frut, që vjen nga ajo pema e vogël imcake dhe që gjatë këtyre ditëve të para të shtatorit e gjeni në tezgat e tregëtarëve të fruta perimeve.
E dalloni fare lehtë. Ajo e vogla dhe me ngjyra më të forta, është e jona e vendit, e cila konkuron bindshëm me idet e tjera turke e greke. Edhe për nga çmimi, pasi produkti vendas është shumë më i lirë se i huaji.
Klima mesdhetare e Shqipërisë e bën akoma më të favorshme kultivimin e këtij fruti, i cili ka potencialin për të qenë një biznes fitimprurës në sektorin bujqësor, për të përmbushur kërkesat në rritje të tregut vendas dhe për të kërkuar tregje të reja ndërkombëtare.
Fruti i vogël me potencial të madh
“Çdo kulturë në vendin tonë ka potencialin për t’u kthyer në një mundësi për biznes. Duke qenë një produkt organik, idja mund të ketë potencial në aspektin ekonomik”– thotë Hajdar Kuçi agronom.
Duke qenë se idja rritet në shumë në klima, ku vera është e gjatë dhe e thatë dhe shoqërohet me reshje shiu në fillim të sezonit dhe temperaturave të ulëta gjatë kohës së maturimit të frutit, e bën atë perfekte për tu kultivuar në Shqipëri, duke qenë se kemi një klimë shumë miqësore ndaj këtij fruti.
“Klima jonë është perfekte dhe mund të rritet nga Saranda në Mirditë. I ka të gjitha kushtet për t’u rritur e për të na dhënë fruta të shkëlqyera”, thotë eksperti, Kuçi.
Frut, për të cilat ka një kërkesë të madhe, duke qenë se prodhimi i ides në vend nuk arrin të mbulojë kërkesat e tregut.
“Ne jemi mësuar ti shohim idet të mbjella në kopshtet e bahçet tona, por asnjëherë në plantacione të mëdha apo që të shohim fermerë që investojnë në këtë lloj fruti.
Ndoshta do të ishte e udhës që të shihnim një projekt pilot për të parë mundësit&eeuml; e rritjes së prodhimit dhe eksportimit të këtij produkti”, konfirmon Hajdar Kuçi.
Vlerat e shkëlqyera ushqyese
Shumë pak e dinë, por ky frut është përdorur për 4.000 vjet në mjekësinë tradicionale kineze, për shkak dhe të përbërësve kurues. Idja përmban magnez, potas, kalcium, manganez, fosfor dhe hekur.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, ato përmbajnë 20 herë më shumë vitaminë C se çdo agrume tjetër, që forcon sistemin imunitar dhe lufton infeksionet duke u përdorur si ilaç mjekësor për mijëra vjet në shumë kultura në botë në formën e çajit përshembull, për të qetësuar fytin.
Frutat e ides kanë gjithashtu aftësinë për të ulur presionin e gjakut, ndihmojnë kundër sëmundjes së mëlçisë, për të trajtuar aneminë, dhe pengojnë rritjen e qelizave të tumorit që mund të çojnë në leuçemi.
Ekstraktet e ides janë përdorur edhe në produktet e kujdesit të lëkurës për të zvogëluar rrudhat, hidratimin e lëkurës së thatë, dhe për të trajtuar dhimbjet e djegies nga dielli.
Fakti që ky frut ka kaq shumë benefite, ka të bëjë jo vetëm me një kombinim të vetëm, por me kompleksitetin e fito-ushqyesve.
Shkencëtarët, kanë identifikuar tetë flavanole tek fruti i ides, të cilat kanë aftësi qetësuese-jo me kot farat e ides janë përdorur për të trajtuar pagjumësinë në mjekësinë tradicionale kineze. Ndërkohë që flavanoli apigenin (që gjithashtu gjendet tek kamomili dhe tek vera e kuqe) përmbajnë antioksidantë që ndihmojnë në uljen e rrezikut të kancerit si dhe ndihmon në tretje dhe alergji.
Hidja është e armatosur me 18 nga aminoacidet më të rëndësishme, që ndihmojnë në formimin e më shumë se 50.000 proteinave në trup.
Po, të gjithë këto veti të ngjizura tek ky frut i vogël me të cilin skemi të ngopur. Por, si të gjithë gjërat e mira edhe idet zgjasin vetëm një sezon. Por nëse shihet si një potencial për të bërë biznes, të mirat e këtij fruti do të zgjasin më shumë se shpejtësia me të cilën i përpijmë.