9nëntor 2015 – Dy shqiptarë të moshës 33 vjeç e 35 vjeç kanë humbur jetën duke u hedhur në një greminë pas ndjekjes për disa orë nga policia italiane.
Ngjarja ka ndodhur në komunën e Civita Castellana në provincën e Viterbos.
Dy shqiptarët njiheshin si autorë të vjedhjeve të ndryshme e policia italiane i ka identifikuar falë shenjave dixhitale të gishtërinjve.
Ngjarja ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme, e sipas policisë italiane dy shqiptarët pasi kishin kryer disa vjedhje në komunën Colle Salomono janë larguar në bordin e një automjeti të vjedhur muajin e kaluar në qytetin e Peruxhias.
Të ndjekur e të rrethuar nga forcat e policisë italiane, ata kanë braktisur makinën e janë hedhur nga një lartësi e lartë poshtë një gremine, raporton Ora News.
Sipas forcave të rendit në greminë nga kjo lartësi janë hedhur tre persona, por dy prej tyre, kanë vdekur menjëherë.
Ndërkohë vazhdojnë kërkimet të ndihmuara dhe nga forcat speciale për gjetjen e personit të tretë që udhëtonte me ta.
/portali DurresLajm/