Malajzi, 15 mars 2014 – Sistemi i komunikimit të avionit të zhdukur MH370, i Malaysia Airlines, është shkëputur në mënyrë të qëllimshme. Kështu është shprehur kryeministri malajzian Najib Razak, gjatë një konference për shtyp. Sipas të dhënave satelitore dhe të radarëve, Razak thekson se avioni më pas ka ndryshuar kurs, dhe ka patur mundësi fluturimi edhe për shtatë orë të tjera.
Ai tha se të gjitha lëvizjet jaë në përputhje me veprime të qëllimshme të dikujt në aeroplan. Aeroplani i linjës Malaysia Airlines u zhduk një javë më parë me 239 persona në bord. Razak tha se avioni mund të jetë diku mes Kazakistanit dhe Oqeanit Indian.
“Përkundër raportimeve të medias se aeroplani është rrëmbyer, dua të jem shumë i qartë. Ne jemi ende duke hetuar të gjitha mundësitë se çfarë e shkaktoi devijimin e fluturimit MH370”.- tha Razak.
Zhvillimet e fundit kanë shtuar pasigurinë tek të afërmit e pasagjerëve të aeroplanit, i cili fluturonte nga Kuala Lampuri për në Pekin. Në kryeqytetin kinez raportohet se për disa nga familjarët e pasagjerëve, zhvillimet e fundit kanë rritur shpresën se të afërmit e tyre mund të jene ende gjallë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





