Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Fushë-Krujë ku një makinë tip Range Rover në administrim të Ilir Locit, me detyrë kryetar i njësisë administrative u hodh në erë.
Makina ndodhej e parkuar në parkingun e një restoranti kur një sasi eksplozivi shpërtheu në pjesën e parme të saj. Makina ishte me targën KR 8778A.
Lënda plasëse dyshohet të jetë hedhur nga një rrugicë krah restorantit.
Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm saqë është dëgjuar në të gjithë zonën përreth, por fatmirësisht ka vetëm dëme materiale.
Bashkë me makinën e administratorit, është dëmtuar dhe një fuoristradë tjetër e parkuar aty pranë.
Forca të shumta policie ndodhen në vendngjarje për të hetuar shkaqet e kësaj ngjarje.
Krujë/Informacion paraprak
Rreth orës 22:00, në fshatin Larushk, në parkimin e lokalit të shtetasit A. M., dyshohet se është hedhur një sasi lënde e dyshuar plasëse.
Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar 2 automjete të parkuara, në pronësi të shtetasve E. K. dhe I. L.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.





