Tiranë, 17 qershor 2014 – Kalendari i Kategorisë Superiore për sezonin 2014-2015 rezervon që në start duele intriguese. Në ambientet e FSHF-së është hedhur shorti, teksa kampionët në fuqi të Skënderbeut do ta nisin sezonin në transfertë kundër Elbasanit të sapongjitur në Superiore. Sfida më intriguese e fillimit të kampionatit, që starton më 23 gusht, është ajo që do të luhet në Shkodër, mes Vllaznisë dhe Kukësit. Çifti tjetër i javës së parë është Flamurtari-Teuta, gjithashtu një takim i gjithi për t’u parë. 10 skuadrat e Superiores janë ende në fazën e rikompozimit të grupeve dhe deri në mbylljen e merkatos, mbetet për t’u parë se cilat klube do ta nisin si pretendentë. Ky kampionat do të jetë me 4 faza, ndërsa skuadrat do të përballen plot katër herë me njëra-tjetrën. Nga Superiorja një kategori më poshtë bien ekipet që e mbyllin kampionatin, respektivisht në vendet 9 dhe 10.Një kampionat me 10 skuadra rikthehet të aplikohet pas tetë sezonesh në elitën e futbollit shqiptar. Sezoni 2014-2015 do të luhet me katër faza në Superiore. Natyrisht, jo të gjithë klubet janë pro kësaj skeme, por FSHF ka qenë e vendosur për ta bërë kampionatin me 10 skuadra, duke ndjekur shembullin e Austrisë, Zvicrës dhe vendeve të tjera europiane. Një kampionat me më pak ekipe rrit cilësinë në nivelin më të lartë të përfaqësimit në futbollin shqiptar. Nga ana tjetër, përveç kësaj, duke qenë se klubet janë vetëm 10 dhe jo 12 apo 14, siç kanë qenë në sezonet e kaluara, të ardhurat e tyre shtohen. Bëhet fjalë për shpërndarjen e paràve që u takojnë klubeve nga shitja e së drejtës televizive, teksa do të përfitojnë më shumë nga çfarë kanë marrë deri më tani. Sigurisht, marketingu pritet të jetë më efikas. Jo vetëm reklamat, por të ardhura të mëdha pritet të kenë klubet nga shitja e biletave. Interesimi do të jetë gjithnjë e në rritje, për vetë faktin se ndeshja të tilla si Tirana-Partizani, Vllaznia- Tirana, Partizani-Skënderbeu etj., nuk do të luhen vetëm dy herë, por katër herë gjatë sezonit, pa marrë parasysh këtu që mund të përballen edhe në Kupën e Shqipërisë. Mirëpo, kjo skemë ka edhe anët e veta negative, për shkak të tkurrjes së futbollit nga ana gjeografike. Disa qytete të mëdha si Gjirokastra, Lushnja, Berati, Kavaja etj., janë penalizuar nga kjo skemë. Megjithatë, në sezonin e ri, një eksperiment më vete pritet të jetë struktura e Kategorisë së Parë, që si kurrë më parë do të jetë me 20 skuadra, të ndarë në dy grupe me nga 10 klube.
Urdhri i FSHF-së, çmime të njëjta biletash për tifozët
Institucioni i futbollit shqiptar ka urdhëruar klubet që të përdorin çmime të njëjta biletash për tifozët vendës dhe ata miq, gjatë sezonit 2014-2015. Vendimi është marrë nga Komiteti Ekzekutiv, teksa është futur edhe te ndryshimet në rregulloren e veprimtarisë futbollistike për sezonin 2014-2015. Në nenin 120, për deklarimin e biletave në ndeshjet e kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, ndër të tjera citohet: “Të gjitha klubet janë të detyruara të vendosin çmim të njëjtë biletash, si për tifozët vendës, ashtu edhe për ata të ekipit udhëtues. Klubet pritëse janë të detyruara të rezervojnë për ekipin udhëtues 5% të vendeve në stadium”. Ky vendim i FSHF-së vjen pas ngjarjeve të sezonit të shkuar, kur në disa raste dhe veçanërisht për ndeshjen e fazës së tretë, Skënderbeu-Tirana, çmimi i biletave për tifozët udhëtues ishte shumë herë më i lartë se ata vendës. Klubi korçar pat vendosur 10 mijë lekë të vjetra biletën për tifozët e Tiranës. Ndërkohë, në jo pak raste, veçanërisht tifozët e Partizanit janë ankuar për çmime shumë të larta të biletave në disa transferta. Tashmë, në rast se klubet nuk zbatojnë këtë urdhër, do të penalizohen me gjoba të majme nga institucioni i futbollit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





